
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar publikisht kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, pas zjarrit në varrezat e qytetit, duke i kërkuar më shumë vigjilencë dhe përkushtim për menaxhimin e hapësirave publike dhe mbetjeve urbane.
“Bari i varrezave të Elbasanit ka potencial të bëhet kallam. Nëse bari është i qethur siç duhet, zjarri nuk merr qiellin,” deklaroi Rama, duke ironizuar situatën e përsëritur të djegieve në zona publike, për të cilat fajësoi mungesën e mirëmbajtjes dhe kujdesit nga ana e bashkisë.
AIA.AL ka udhëtuar disa herë në këto varreza edhe gjendja atje është skandaloze. Bari mbulon varret dhe strehon gjarpërinj.
Varrezat e Elbasanit tmerrojnë të gjallët
Kritika të tjera për Elbasanin
Por kritika e tij nuk u ndal vetëm te zjarri. Duke e krahasuar Elbasanin me qytete shumë më të mëdha, Rama theksoi:
“Është e pakonceptueshme që në një qytet që e përshkon në këmbë nga një cep në tjetrin, kryetari i bashkisë të mos dijë çfarë ndodh, të mos jetë i informuar për çdo tullë që ngrihet në qytet. Nëse kryetari i ka sytë gjysmë të hapur, ata poshtë i kanë të mbyllur fare.”
Kryeministri shtoi se drejtuesit vendorë nuk mund të presin gjithmonë nga qeveria që të financojë gjithçka, kur vetë bashkitë kanë mundësi konkrete për të krijuar të ardhura dhe për të ndërtuar zgjidhje funksionale. “Në Cërrik mbetjet jo vetëm që përpunohen, por kthehen edhe në produkt që shitet. Pse nuk e bëni edhe ju në Elbasan? Nuk është ndonjë shpikje japoneze, është këtu, afër jush.”
Rama i kujtoi Llatjës përgjegjësinë e madhe që mban në një bashki të madhe si Elbasani:
“10 mandate janë një barrë kryetar, më kanë marrë dhe ato orë që më mbeten mua. Duhet të të lënë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë.”
Këto deklarata vijnë në një moment kur problematikat me zjarret dhe mbetjet në Elbasan kanë qenë të përsëritura dhe shpesh herë janë trajtuar edhe nga AIA.al në muajt e fundit.