
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se shumë shpejt do të organizohen protesta të fuqishme kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “hajdutin kryesor të shqiptarëve”.
“Ju garantoj se protesta shumë të fuqishme do organizohen, por protestat do të organizohen për hajdutin kryesor, numër një të kombit të të gjitha kohërave. Ne do e kapim djallin për brirësh dhe ai është i pari, Edi Rama,” – tha Berisha.
Ai theksoi se çdo energji e opozitës do të përqendrohet kundër Ramës dhe se përgjegjësia kryesore për aferat korruptive, përfshirë inceneratorët, është e tij. “Inceneratorin e ka bërë Edi Rama. Skapi nuk guxon të merret me këtë aferë, sepse është direkt Edi Rama,” – shtoi Berisha.
Sipas tij, protestat do të nisin shumë shpejt dhe do të jenë kundër “regjimit korruptiv që po rrënon pluralizmin dhe votën e lirë në Shqipëri”.
Në një tjetër deklaratë për mediat, Berisha akuzoi pushtetin lokal për abuzime masive gjatë fushatës zgjedhore. “Të paktën 5 milionë euro ka shpenzuar vetëm Lubia në Fier, pa llogaritur ato që ka shpenzuar Ben Qimja, Renato Salihi dhe ‘Hakmarrja për Drejtësi’,” – u shpreh ai.
Berisha tha se drejtues lokalë janë përfshirë drejtpërdrejt në fushatë me mjete shtetërore. “Të gjithë drejtorët me radhë, me makina, sekretare, kanë qenë tre muaj në fushatë. Ne raportojmë shifra të vërteta, ata mashtrojnë sepse i kanë të tyre,” – deklaroi ai.
Sipas tij, përfshirja e ekspertëve të huaj në fushatën e opozitës ka sjellë “një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe një shkollë të vërtetë konservatorizmi për të rinjtë dhe kandidatët shqiptarë.”
Kreu i opozitës foli gjithashtu për ish-kryebashkiakun Erion Veliaj, duke ngritur dyshime mbi lëvizjet e tij gjatë periudhës së paraburgimit.
“Rreth tre javë më parë, në orën 11 të natës, Erion Veliaj e la qelinë dhe kjo është 100% e sigurtë. Nuk shkoi në spital. Ku shkoi, nuk di ta them me saktësi, por di që nuk ishte më në qeli atë natë,” – deklaroi Berisha.
Sipas tij, vendimi për lirimin e përkohshëm të Veliajt është i lidhur me ndikimin e Edi Ramës. “Edi Rama thotë ta nxjerrim nga burgu, por ai i kishte caktuar regjimin e serial killerit,” – shtoi Berisha.







