
Kryeministri Edi Rama iu është drejtuar sot me një mesazh të posaçëm bashkatdhetarëve shqiptarë në Greqi, të regjistruar si zgjedhës për votimet e 11 majit. Rama theksoi rëndësinë e dorëzimit të zarfeve të votimit në kohë, duke nënvizuar se pikat e shërbimit postar DHL do të qëndrojnë hapur me orar të zgjatur nga sot, e hëna 5 maj, deri të premten, 9 maj, për të mundësuar kthimin e zarfeve drejt Shqipërisë.
Në veçanti, ai paralajmëroi shqiptarët që jetojnë në ishujt grekë se, për shkak të kufizimeve të transportit ajror, data e fundit për dorëzimin e zarfeve është e martë, 6 maj. Përveç DHL, shërbimi mund të bëhet edhe pranë zyrave të Speedex dhe Courier Center.
“Lutemi, dorëzojeni zarfin tuaj sa më parë, që vota të mbërrijë në kohë në Shqipëri,” apeloi Rama, duke e lidhur këtë proces me fushatën e tij për projektin Shqipëria 2030 në BE. Ai u bëri thirrje mbështetësve të qëndrojnë të angazhuar për “fatin europian të kombit” dhe i kujtoi se Partia Socialiste është ajo që i ka dhënë emrit shqiptar dhe flamurit dinjitetin e munguar jashtë kufijve.
“Bashkë me ju, do t’i japim Shqipërisë dhe çdo shqiptari statusin e ri të qytetarit europian, si anëtarë më në fund të barabartë të Shteteve të Bashkuara të Europës,” përfundoi mesazhin e tij Rama.
Me heret Rama foli edhe në Sy mSy ku tha se problemet që u shfaqen në fillim me kompaninë tashmë janë rregulluar dhe të gjithë emigrantët nuk duhet ta lënë pa përdorur mundësinë, sipas tij historike për të votuar për Shqipërinë në BE.
“Në rast se i keni marrë zarfat të veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë, me numrin 5. Ky votim ka një rëndësi të veçantë për Shqiptarët në Greqi që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në ankthin e padrejtë të njohjes së pensionit”, tha Rama në nje video ne Facebook.
Rama ironizoi opozitën duke thënë se “klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe”.
“Një nga ato salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte se ishin të kapur nuk e di kush dhe sesi. Drejtuesi ynë politik ka bërë të qartë, se zarfa mund të mbledhësh edhe nga shpia jote. Kur je skllav i bufit edhe shtëpinë tendë e kthen në llogore kënetë. Mund ti fotografosh në rrugë dhe të thuash këto i bëri regjimi, por këto nuk i ha njeri”, u shpreh kryeministri, duke bërë thirrje që “të përshpejtojmë tharjen e asaj kënetë që është një fatkeqësi kombëtare dhe një plagë antievropiane”.