
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor në Elbasan, ku prezantoi prioritetet e Buxhetit 2026 për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kreu i qeverisë bëri të ditur se për vitin e ardhshëm parashikohet një mbështetje e shtuar prej 16.3 miliardë lekësh për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agro-përpunimin dhe agroturizmin, si dhe për pensionin rural dhe trajnimin e fermerëve në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se mbështetja financiare e qeverisë nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me iniciativa konkrete nga vetë fermerët për të aplikuar me projekte të qëndrueshme dhe të mirëstrukturuara.
“Çështja nuk është më vetëm tek vullneti dhe fuqia e qeverisë për të mbështetur rritjen e sipërmarrjes, por tek mungesa e një sipërmarrjeje aktive që kërkon fonde me projektet dhe formulat e duhura. Këto gjëra bëhen me aleancat e duhura”, u shpreh Rama.
Kryeministri vuri theks të veçantë edhe te roli i bashkive në zhvillimin e zonave rurale, duke kërkuar që ndaj tyre të ushtrohet një “presion pozitiv” për të marrë në dorë përgjegjësitë që u takojnë.
“Bashkitë pas reformës administrative territoriale janë kujdestare të barasvlershme si për qytetin, ashtu edhe për fshatin, por ende sot shumica e tyre e shohin fshatin vetëm për punët komunale të qytetit. Këto janë të rëndësishme, por më e rëndësishmja në fshat është toka që prodhon dhe njerëzit që punojnë tokën. Bashkia duhet të jetë aty, pranë tyre”, theksoi Rama.
Ai u bëri thirrje fermerëve që të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga buxheti dhe programet mbështetëse, duke i inkurajuar të zhvillojnë projekte investimi që synojnë transformimin dhe modernizimin e fermave.
Në përmbyllje, Kryeministri deklaroi se vitet në vijim duhet të jenë vitet e krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta mes pushtetit vendor dhe fermerëve.
“Dua që këto vite të jenë vitet e ndërmarrjeve të përbashkëta mes bashkive dhe fermerëve, ndërmarrje që punojnë dhe sjellin më shumë të ardhura për ju, jo për qeverinë dhe as për bashkinë”, përfundoi Rama.






