
Shefi i qeverisë, Edi Rama nuk kursen sërish kritikat ndaj një tjetër gjyqtari të Gjykatës Administrative të Tiranës. Kësaj radhe reagimi vjen për gjyqtarin Klarent Demiri, të cilin kryeministri e akuzoi se ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një hapësirë publike të zaptuar nga një lokal në kryeqytet, të cilin e ka ndarë edhe me foto.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”?”, pyet kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij social “Facebook”, ndërsa fjalinë e tij e ka shoqëruar edhe me një emoji të një kocke.
Gjyqtarin e akuzon se vendimi i tij ka rënë ndesh me interesin publik dhe zbatimin e programit të qeverisë për Shqipërinë 2030 në BE. Një gjë është pak, por e sigurt, thotë kryeministri, duke theksuar se nga ky moment e tutje do të ketë zero tolerancë për të gjithë përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që pengojnë zbatimin e projekteve në interes të publikut.
Ndërsa përmend rastin e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, apo gjyqtarit të Tiranës Hazni Balliu, Rama thotë se edhe për Demirin do t’i drejtohen qeverisë së gjyqësorit, KLGJ, për të cilën ka pasur jo pak kritika se ka ardhur koha që të zgjohet nga gjumi.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE
Një gjë është pak po e sigurtë: Ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së vet zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për prokurore Gjelin dhe për gjykatës Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre”, shkruan Rama./shqiptarja