Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Europian të organizuar nga Komisioni Europian në Bruksel, një aktivitet i rëndësishëm që synon të forcojë diskutimin mbi zgjerimin si projekt strategjik dhe politik të BE-së. Rama mbajti një fjalë të gjatë ku theksoi se procesi nuk duhet parë si zgjerim teknik, por ribashkim historik i kontinentit.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria ka kaluar një rrugë të vështirë, me momente bllokimi dhe zhgënjimi të përsëritur nga disa vende anëtare, por se vendi ka vijuar punën për vetveten dhe për qytetarët e tij. Ai nënvizoi se nën drejtimin e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, procesi ka marrë vrull dhe se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave brenda 14 muajve, duke u pozicionuar në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rama argumentoi se zgjerimi është thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Europës, ndërsa renditi pesë të vërteta të thjeshta: ribashkimi shëron plagët historike, zgjeron zonën e paqes, përmbush premtimin për vendet që zgjodhën demokracinë, sjell prosperitet ekonomik dhe funksionon çdo herë që BE ka pranuar anëtarë të rinj.

Ai paralajmëroi se moszgjerimi ka një faturë të lartë: stagnim ekonomik, dobësim gjeopolitik dhe rritje të ndikimit nga aktorë të tretë që nuk ndajnë vlerat europiane. Sipas tij, Europa e bashkuar është e vetmja që mund të formësojë fatin e saj në një botë të trazuar.

Në fund, Rama tha se Shqipëria është gati dhe e përkushtuar ndaj reformatimit dhe vlerave të BE-së, duke shtuar me humor se vendi ynë i sjell Unionit edhe një “buzëqeshje të madhe” dhe një shembull pozitiv për të ardhmen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu