Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka arritur një rekord historik në procesin e integrimit europian, duke hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian brenda vetëm 12 muajve.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë zhvillim si “të pamendueshëm” dhe një rekord absolut në proceset e integrimeve europiane, duke theksuar se vendi është më afër se kurrë objektivit të anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030 dhe mbylljes së negociatave brenda vitit 2027.

“Asgjë nuk na del dot përpara drejt majës së ‘Shqipërisë 2030 në BE’. Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027”, – shkruan Rama.

Rama theksoi se, pavarësisht vështirësive dhe pengesave, Shqipëria po rritet e forcohet muaj pas muaji, duke listuar një sërë arritjesh që, sipas tij, e tregojnë këtë progres: rritje ekonomike e qëndrueshme, rritje të pensioneve dhe pagës minimale, rritje të pagave në sektorët e tjerë, rritje të investimeve të brendshme dhe të huaja, mbështetje më të madhe për shtresat në nevojë dhe pacientët me sëmundje të rënda, si dhe përmirësim të vazhdueshëm të punës së institucioneve publike – të gjitha këto, siç theksoi ai, “pa rritur asnjë taksë”.

“Shqipëria punon dhe fiton përditë e më shumë respekt”, – përfundon mesazhi i kryeministrit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu