
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot pamje nga aksioni i shembjes së ndërtimeve pa leje në Kepin e Rodonit, duke theksuar se kjo nuk është një nismë e përkohshme, por një proces i pandalshëm që do të vazhdojë në të gjithë vendin.
“Shembja e objekteve të paligjshme, e cila ka nisur kudo, nuk është një aksion, po një proces që jo vetëm s’do të ndalet deri në eliminimin e këtij fenomeni, por edhe do të shoqërohet ditët në vijim me paketën e re të masave për tkurrjen e këtij fenomeni,” shkruan Rama, duke paralajmëruar masa më të forta ligjore ndaj shkelësve.
Ai shtoi se përveç ndërtuesve të paligjshëm, përgjegjësi do të mbajnë edhe “symbyllurit” në inspektoriate, polici dhe institucione të tjera që kanë lejuar abuzimet.
Sipas kreut të qeverisë, Kepi i Rodonit – një nga mrekullitë natyrore të vendit – është abuzuar për qëllime fitimi me ndërtime pa leje, ndaj ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme për të mbrojtur pasurinë natyrore.