
Edi Rama këmbëngul se një rotacion politik në këtë fazë ku ndodhet procesi i negociatave do të rrezikonte bllokimin.
Kjo sipas tij jo vetëm për shkak se do të ngadalësohej ritimi për shkak të ndryshimit të grupit negociator, por ai kujton se drejtuesit e opozitës kanë probleme me drejtësinë e re që Bashkimi Europian e mbështet pa asnjë kusht.
“Këtu bëjnë sikur harrojnë, këtu bëhet fjalë për individë që janë me probleme të hapura në drejtësi, probleme të hapura që s’dihet ku mbarojnë, nuk dihet si mbarojnë, nuk dihet a janë kaq apo ka më shumë. Tani, si mendoni ju që Bashkimi Europian këto nuk i merr në konsideratë.. patjetër që kjo është, themelore, si mund t’i vihet BE-së përpara bufi i kënetës, bashkë me gjithë atë kënetë të madhe, dhe BE-ja thotë, po tani, nuk ka ndodhur asnjë gjë, hajde. Po patjetër se kush po e diskutonte, po si llogariten meritat e vendit në qoftë se vendi i jep mandatin një personazhi apo disa personazheve që janë me halle të hapura në drejtësi, edhe që për cilët BE-ja nuk është shprehur në asnjë rast dhe as nuk ka lënë të kuptohet se ka ndonjë rezervë për proceset e drejtësisë”.
Kryeministri, në komunikimin “Sy më sy” kërkon të kuptohet se Bashkimi Europian nuk funksionon si konsulentët e huaj që paguhen për të drejtuar fushatat elektorale.
“Bashkimi Europian është një studio konsulence që paguhet me kushedi se sa dhe kush di se si paguhet me thënë të drejtën dhe vjen, dhe vjen nga Amerika këtu, se paguhet edhe bën një fushatë për një palë, edhe këtu mbyllet filmi. Po jo mor, se nuk mbyllen kështu filmat në Bashkimin Europian, janë ndryshe, as në Amerikën jo. Po na vjen dhe sherifi. Turistë, janë të gjithë të mirëpritur të vinë, po këta turistët që marrin kaq shumë para dhe s’i i marrin është një pyetje më vete. Ku gjenden gjithë ato para për këta lloj turistësh, megjithatë të vijnë. Bujrum, të vijnë. Ja erdhi dhe 11 Maji në fakt, dhe aty do duken qartë dhe pastër që të gjitha gjërat”.
Akuzave të demokratëve për kopjimin e programit, Rama ju përgjigjet dhe me ironi por dhe duke kujtuar se premtimin për rritjen e pagës mesatare e ka artikuluar sipas tij 1 vit më parë.
“Kopjimi programit është gjëja më qesharake në botë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik; a thua se bëhet fjalë ndonjë kod kasaforte, të një kodi sekret, kodi i Da Vinçit; u kopjua kodi i Da Vinçit . O Zot, o Zot! më e bukura është që këtë të pagës minimale ne e kemi thënë me kohë, nuk e kemi thënë sot pror nuk e ka pasur njeri mendjen, pas zgjedhjeve do ta përcaktojmë sepse përpara zgjedhjeve nuk e bënim dot sepse është i ndaluar me ligjin elektoral por pas zgjedhjeve do ta përcaktojmë që do të jetë 500 euro madje kemi thënë dhe mekanizmin si do bëhet 500 euro; duke mos u kërkuar kompanive për 19 muaj që të paguajnë asnjë detyrim tjetër përveçse tu japin 100 Euro plus punonjësve të tyre në muaj”.
Programin e opozitës dhe vetë kreun e saj, Rama i quan farsë.
“Ato që thotë këneta, programi i madhështisë përveçse është një farsë e madhe, por ka një falsitet total brenda tij sepse thotë “Në 12 maj të gjitha këto do të bëhen realitet”. Ne kemi ato 300-ditëshat e brendshëm që çdo 300 ditë, të rinovohet programi, çdo ministri, çdo ministër, çdo ekip, çdo institucion i pavarur, në kuptimin institucion i veçantë që varret nga kryeministria, AKSHI, Kadastra tjetri, tjetri kanë programet e tyre, kështu që është program permanent qeverisja. Nuk është muhabet kënete që hajde po mblidhemi, po bëjmë një program po marrim dhe sherifin… jo vetëm ujku, por dhe bufi, puplën e ndërron, por zakonin se harron”.
Kryeministri falenderon shqiptarët që jetojnë në Greqi për pritjen që i bënë në fundjavë, por dhe dhuratën që ka marrë nga njëri prej tyre që e sheh si ogur të mirë për fitoren e 11 Majit.
“Zotërinë që më solli këtë (dorën, punim artistik) në takimin e Athinës, i jam shumë falenderues dhe ky do të qëndrojë këtu si simbol i një fitoreje të paharrueshme, fitorja me notën 10, e 10-ta në radhë për ne, mua dhe PS”.
Ashtu si Presidenti Begaj, dhe Kryeministri zbuloi për kureshtjen e njërit prej ndjekësve se e pi kafen shqeto për të njëjtat arsye si kreu i shtetit.
“Me sa sheqer e pi kafen”. Zero sheqer! Zero sheqer! Madje kur më thonë, a do sheqer, i them, jo se jam shumë i ëmbël vetë. E në fakt jam më i ëmbël sesa dukem në të vërtetë”.
Tv Klan