Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përhapjes virale të një videoje nga një samit ndërkombëtar, ku ai shfaqet në një moment të shkurtër bashkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Deklarata e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë dhënë jehonë si një koment politik, por Rama e ka cilësuar këtë si një keqinterpretim të qëllimshëm.

“Është vërtet e jashtëzakonshme mënyra se si funksionon media sot dhe si e ashtuquajtura ‘viralitet’ mund ta shtrembërojë kaq lehtë realitetin. Një fjali e thënë me humor të mirë, në frymën e miqësisë, papritur kthehet në titull kryesor në mbarë botën për një samit të tërë mes dhjetëra kombesh, ndërkohë që gjithçka tjetër – ajo që ka rëndësi në të vërtetë – bëhet e parëndësishme,” shkruan Rama në reagimin e tij.

Kryeministri kujton se ishte një moment i gëzueshëm mes miqsh, në prani të Macron dhe Aliyev, ku ai iu referua me shaka një lapsusi të presidentit amerikan Donald Trump, i cili dikur kishte thënë se edhe Shqipëria kishte arritur të bënte paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që Macron kishte punuar gjatë për paqen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Një batutë e lehtë, një moment miqësor. Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta kthesh në helm politik është thjesht e padrejtë. Prandaj, le ta sqarojmë,” vijon Rama.

Në reagimin e tij, ai vlerëson presidentin amerikan Donald Trump si një lider që “riktheu fjalën ‘paqë’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh” dhe që “në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër arriti paqe atje ku të tjerët kishin provuar e dështuar”.

“Ajo shkëmbim fjalësh nuk ishte asgjë më shumë sesa një moment humori i mirë midis njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të presidentit Trump,” përfundon Rama.

Reagimi i plotë i Ramës: 

Është me të vërtetë e jashtëzakonshme se si funksionon sot media dhe se si e ashtuquajtura “viralitet” mund të shtrembërojë kaq lehtë realitetin. Një fjali e thënë me humor, në frymë miqësie, papritmas shëndrrohet në titull ndërkombëtar të një samiti me dhjetëra vende, ndërkohë që gjithçka tjetër, thelbi i vërtetë, bëhet i parëndësishëm.

Por po, ishte kënaqësi sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në praninë e mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, të rikujtoja një lapsus të Presidentit Trump, i cili dikur tha se edhe Shqipëria kishte arritur të bënte paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që Emmanuel vetë kishte punuar pa lodhje, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Një shaka, një moment miqësor. Sigurisht, s’ka asnjë problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh e ta kthesh në helm politik është thjesht e padrejtë. Prandaj le ta themi troç:

E vërteta është që Presidenti Trump është treguar si një lider që riktheu fjalën ‘paqe’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai arriti paqe aty ku të tjerët kishin provuar por kishin dështuar, dhe vijon ta ndjekë atë me ngulm.

Ajo shkëmbesë nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori mes njerëzish, të cilët në fakt janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu