
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Hagës për dënimin me 45 vite burg të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama u shpreh se nuk ka reaguar menjëherë pasi po përpiqet të kuptojë logjikën e ndjekur nga prokuroria për të arritur në këtë pretencë.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej se ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, “si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur”, duke theksuar se i duhet kohë për të përballuar atë që e cilësoi si një zhvillim të rëndë.
Reagimi i Ramës vjen pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kërkoi dënime prej 45 vitesh burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.






