
Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht në rrjetin social X, pas deklaratës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), lidhur me një episod që ai përmendi gjatë podcastit “Flasim”, duke folur për problematika brenda sistemit të drejtësisë së re.
Në reagimin e tij, Rama sqaron se kritika e tij nuk kishte të bënte me mbajtjen e armëve sipas ligjit, por me, siç e cilëson ai, “padijen etike dhe ligjore” të disa anëtarëve të BKH-së, të cilët, sipas kryeministrit, kanë tentuar të hyjnë në Kryeministri të armatosur.
“Sipas ligjit mund të mbajnë patllake, por unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, por për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në Kryeministri me patllake”, shkruan Rama, duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar.
Kryeministri e cilëson këtë episod si “më të ëmbëlin” ndër disa raste të tjera, që sipas tij tregojnë boshllëqe shqetësuese etike dhe profesionale në radhët e BKH-së, duke i lidhur këto me “sëmundje të vjetra” që vijojnë të shfaqen në organizmat e drejtësisë së re.
Në përfundim, Rama bën thirrje për një reflektim serioz dhe ndërinstitucional, duke nënvizuar se suksesi i Reformës në Drejtësi duhet të garantohet pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit, por njëkohësisht edhe pa rrezikuar liritë, të drejtat dhe funksionimin normal të administratës dhe ekonomisë.
“Koha ka ardhur për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pista, që kura të mos bëhet problem më i madh se sëmundja”, përfundon Rama në reagimin e tij.






