
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj kritikave dhe reagimeve të disa mediave në Athinë, si edhe të politikanëve grekë, lidhur me deklaratat e tij gjatë një paneli në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi.
Rama shprehet i habitur nga mënyra se si një fjali e thënë me humor miqësor, gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e njohur John Defterios, është shkëputur nga konteksti dhe është kthyer në një polemikë publike me tone nacionaliste.
“Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se nuk ka asnjë dyshim mbi kontributin historik dhe kulturor të Greqisë, duke nënvizuar se Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë, ndërsa Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian. Ai shpreh admirim për kulturën greke, filozofët, shkrimtarët, kineastët dhe muzikën që, sipas tij, i kanë dhënë shumë njerëzimit.
Rama shton se ushqen ndjenja pozitive për Greqinë dhe popullin grek, të cilin e cilëson “fqinj të pazëvendësueshëm dhe vëlla të patjetërsueshëm” të popullit shqiptar, ndërsa për kryeministrin grek shpreh respekt të veçantë.
Megjithatë, në fund të reagimit të tij, Rama thekson se nuk pranon që retorika nacionaliste të barazohet me trashëgiminë e filozofëve të mëdhenj grekë, duke mbyllur reagimin me një ton ironik.
“Kaq”, përfundon Rama postimin e tij.






