
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike ndaj kritikëve të draftit të ri të Kodit Penal, duke i cilësuar shqetësimet për “gojëmbyllje me ligj” të forcave opozitare dhe mediave si të ekzagjeruara.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se drafti është hartuar nga “ekspertë të nderuar të fushës” dhe është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur opinione në mënyrën më “demokratike dhe transparente të mundshme”.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell”, shkruan kryeministri.
Sipas tij, problemi më serioz me lirinë në Shqipëri nuk është drafti dhe as regjimi, por “masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”.
Kujtojmë se drafti i ri i Kodit Penal është përballur me kritika nga përfaqësues të mediave dhe organizata për të drejtat e njeriut, të cilët kanë shprehur shqetësime për kufizime të mundshme të lirisë së shprehjes dhe kriminalizim të raportimit mediatik.