
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv.kryeministres, me masë sigurie “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”.
Në reagimin e tij, Rama thekson se kjo kërkesë vjen menjëherë pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të pezullimit të një anëtari të qeverisë, të cilin ai e cilëson si antikushtetues dhe antidemokratik.
“Pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren”, shprehet Rama.
Kryeministri ndalet edhe te fenomeni i arrestit pa gjyq, duke e cilësuar si një praktikë problematike që po kthehet në “modë të vrazhdë” në Shqipëri. Sipas tij, fakti që vendi ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar është një tregues shqetësues, i cili bie ndesh me standardet demokratike europiane dhe ka ngjallur shqetësim edhe te Këshilli i Europës.
Megjithatë, Rama thekson se në këtë rast nuk ka dhe nuk do të ketë paragjykim ndaj kërkesës së prokurorit special.
“Ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special. Por, ndryshe nga proceset e tjera ku si rregull nuk flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë”, deklaron kryeministri.
Ai shton se mazhoranca do të angazhohet me përgjegjësi të plotë përpara qytetarëve dhe se do të përgatitet për të mbajtur një qëndrim “të drejtë, të qartë dhe të denjë”, në përputhje me rolin e saj si forcë udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.
Reagimi i Ramës vjen në një moment tensioni institucional, ndërsa pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për autorizimin e masës së sigurisë ndaj zv.kryeministres.






