
Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kanë vijuar inspektimet e projekteve të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit.
Gjatë inspektimit, Rama dhe Sako ndaluan pranë parkimit të ri publik afër Stacionit të Trenit, ku ka përfunduar puna për godinën publike 7-katëshe, një investim i konceptuar si qendër multimodale në shërbim të qytetit dhe komunitetit.
Godina furnizohet me energji diellore dhe ofron 353 vende parkimi për automjetet, si dhe një stacion biçikletash. Krahas funksionit të parkimit, objekti përfshin edhe hapësira të dedikuara për zyra, ambiente për studentë dhe sipërmarrës të rinj në fushën e teknologjisë, si dhe hapësira për zhvillimin e aktiviteteve social-kulturore.
Projekti synon të lehtësojë qarkullimin dhe parkimin në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, duke krijuar njëkohësisht ambiente funksionale që nxisin inovacionin, aktivitetin rinor dhe jetën komunitare.
Ky investim është pjesë e projekteve të transformimit urban në Durrës, me fokus zhvillimin e infrastrukturës publike, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se godina e parkimit është hapur në fund të dhjetorit.
“Këtu akomodohen rreth 353 mjete të parkua plus parkimet e biçikletave. Kemi edhe ambientet e zyrave, të cilat do të shërbejnë si qendër ku kompani të ndryshme inovatore, të rinj, të cilët punojnë me aplikacione, apo me inovacionin mund të akomodohen për të qëndruar këtu, për ta pasur si seli të vetën”, tha Sako.
Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se, “kjo është qendër multimodale jo thjesht parkim, ku përveç hapësirave të parkimit që janë të automatizuara çdo gjë, janë dhe ambientet për të rinj, për start-upet”.
Kryeministri vizitoi start-upet e ndryshme që operojnë në këtë qendër multimodale si dhe takoi të rinj që zhvillojnë praktikat e punës në këtë qendër./Tema






