
Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një video-kartolinë nga darka tradicionale e fundvitit me Trupin Diplomatik, të organizuar në Tiranë për përfaqësuesit e huaj të akredituar në Shqipëri.
“Krenarë për Shqipërinë 🦅 Videokartolina e darkës tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale, ku ndan momente nga eventi solemn.
Në pamjet e publikuara, kreu i qeverisë shfaqet i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, ndërsa përshëndet dhe bashkëbisedon me diplomatë dhe përfaqësues të misioneve të huaja në vend. Videoja pasqyron atmosferën festive dhe protokollare të mbrëmjes, e cila është tashmë një traditë e përvitshme e qeverisë shqiptare në prag të festave.
Një ditë më parë, më 19 dhjetor, edhe Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, organizoi një darkë të veçantë për gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave, ku vlerësoi rolin e tyre në informimin e publikut gjatë një viti të ngarkuar me zhvillime politike dhe sociale.






