Në një event të veçantë në Tiranë, u prezantuan projektet finaliste të fazës së dytë të garës ndërkombëtare për projektin “Hospitality Albania”, një nismë që synon transformimin e rezidencave qeveritare të amortizuara në destinacione luksoze për turizmin elitar.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në aktivitet, e cilësoi këtë projekt si një kapitull të ri në punën e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Ai theksoi se përmes këtij modeli, shteti jo vetëm që rifiton funksionin e aseteve të braktisura, por bëhet edhe pjesë aktive e zhvillimit ekonomik përmes partneritetit me sipërmarrjen private.

“Është një rrugë e re që ne po e shkelim me sukses, ku po shikojmë praktikisht potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore, duke e futur shtetin si partner dhe duke i dhënë mundësi sipërmarrjes që t’i transformojë në burim të ardhurash,” u shpreh Rama.

Gara përfshin projektet për dy rezidenca me simbolikë të veçantë: vilën e dikurshme të diktatorit shqiptar në Vlorë dhe një tjetër rezidencë qeveritare në zonën e Velipojës. Të dyja pritet të kthehen në qendra të mikpritjes dhe arti me standarde ndërkombëtare.

Rama theksoi se ky projekt është i frymëzuar nga modelet më të mira europiane, ku shteti përfiton jo vetëm nga rritja e ekonomisë, por edhe nga të ardhurat e gjeneruara në mënyrë të qëndrueshme.

“Po zhvillojmë një infrastrukturë të re financiare për shtetin, duke u bazuar tek modelet më të mira në Europë, si në Itali apo Spanjë, ku asetet shtetërore përdoren për të gjeneruar të ardhura mbresëlënëse dhe për të investuar në interes publik,” shtoi ai.

Në këtë garë po marrin pjesë studio të njohura ndërkombëtare të arkitekturës, ndërsa projektet vlerësohen nga një juri me ekspertë të huaj dhe vendas. Kryeministri falënderoi të gjitha studiot pjesëmarrëse dhe shprehu besimin se kjo nismë do të kontribuojë në pasurimin e mëtejshëm të trashëgimisë arkitektonike dhe turistike të Shqipërisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu