
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, duke e vendosur theksin tek vizioni për “Shqipërinë 2030” dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Në fjalën e tij, Rama u ndal në sfidat e qeverisjes së kaluar dhe arritjet në procesin e integrimit evropian. “Vetëm duke mos harruar të djeshmen, mund të shohim me qartësi të nesërmen,” u shpreh ai, duke kujtuar pengesat që Shqipëria ka hasur nga politika e brendshme e BE-së.
Ai theksoi se qeveria nuk u dorëzua pas refuzimeve të njëpasnjëshme për hapjen e negociatave, por vijoi punën për të përmbushur reformat dhe për të forcuar lidhjet me partnerët ndërkombëtarë. Rama nënvizoi se Shqipëria sot është në një pikë kyçe të procesit të anëtarësimit, një objektiv që, sipas tij, ishte i paimagjinueshëm në fillim të mandatit.
Plani i rritjes ekonomike dhe mbështetja financiare për rajonin, sipas kreut të qeverisë, janë shembuj të ndikimit që Shqipëria ka arritur në politikën evropiane, duke e vendosur vendin në një pozicion më të favorshëm në skenën ndërkombëtare.
“Kemi në dorë mundësinë historike të hyjmë në BE. Të hyjmë brenda kësaj dekade sepse yjet janë rreshtuar në favorin tonë. Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjët e fatit të BE. Për herë të parë nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë sa më parë në BE, por edhe BE kërkon të na marrë në gjirin e vetë sa më parë, ndaj edhe po negociojmë me një vrull të jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama më tej.
Pikat kryesore nga dokumenti “Shqipëria 2030”
- Përparimi në integrimin evropian
- Shqipëria ka kaluar pengesat dhe ka filluar negociatat për anëtarësim në BE.
- Krahasimi me Kroacinë: Pasi të bëhet anëtare, Shqipëria do të përfitojë ndihma financiare të konsiderueshme nga BE.
- Transformimi dixhital përmes e-Albania
- Platforma ka ofruar 15.2 milionë shërbime në një vit, pesëfishuar që nga 2019.
- Kursime financiare për qytetarët dhe emigrantët, si dhe ulje të burokracisë.
- Përmirësimi i financave publike
- Borxhi publik është ulur nga 80% në 55%, duke e vendosur Shqipërinë në një nivel të qëndrueshëm ekonomik.
- Shqipëria është vlerësuar si vendi me administrimin më të mirë të financave publike në rajon.
- Paketa e Maleve – Nxitja e zhvillimit rural
- Legalizim i tokave të zotëruara tradicionalisht, me një proces të thjeshtë aplikimi.
- 500 sipërmarrës të parë do të përfitojnë taksa dhe TVSH zero për 10 vjet.
- Investimet në infrastrukturë
- Fokus i madh në zhvillimin e rrugëve, energjisë dhe projekteve strategjike për Shqipërinë 2030.
Këto pika përmbledhin vizionin dhe rezultatet kryesore të qeverisë për të ardhmen e Shqipërisë.