
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS gjatë prezantimit të kandidatëve socialistë për Qarkun e Vlorës, ju bëri thirrje këtyre të fundit që pas marrjes së mandatit të sillen si përfaqësues të të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm të një pjese.
Rama kërkoi nga deputetët e rinj socialistë që do të dalin pas zgjedhjeve të 11 majit që mos sillen si deputetët e PS vetëm për socialistët, por si deputetë për të gjithë qytetarët e Vlorës.
“Jam ndjerë shumë keq në raport se si janë ndjerë në raport me përfaqësuesit tanë këtu. Deputetët tanë nuk duhet të jenë kurrë deputetët e PS për socialistët, por për Vlorën dhe vlonjatët. Vlora është shumë e vogël, për t’i lejuar vetes luksin absurd që të gjithë njerëzit që duhen për të kontruubuar t’i qëmtojnë në një anë. Njerëzit më të mirë dhe profesionistët, ata që duan të punojnë për qarkun dhe Shqipërinë të kenë një mundësi pavarësisht bindjeve. Kjo duhet të jetë PS. Një familje që të ketë kurajën që çdo të ri ta shohë në sy e të mos e privojë nga ajo që meriton, dhe nga respekti”, deklaroi Rama.