
Në takimin elektoral të zhvilluar në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama prezantoi arritjen e qeverisë krahasuar me situatën e gjetur kur morën detyrën. Gjithashtu shpalosi edhe projekte që pritet të realizohen edhe më tej.
“Në Shqipërinë 2030 kemi shumë besim që do të ketë fluturime nga aeroporti i Gjirokastrës”, tha kryeministri.
Ndër temat kryesore që spikatën ishte procesi europian, situata ekonomike, pensionet, pagat duke mos lënë pas edhe infrastrukturën dhe aeroportet.
“Kjo është fushata e parë që flas për pensionet. E kam thënë që do duhet të rritemi ekonomikisht. Pikërisht pse ekonomia ka filluar të japë rezultate, kemi më shumë të ardhura. Na u krijua mundësia të rrisnim bonuse, pastaj me dy bonuse. Pensioni mesatar do shkojë 400 euro në Shqipërinë e vitit 2030 dhe për të arritur të mos ketë në Shqipëri pension nën 200 euro”, tha ai.
Rama gjithashtu tha se për të gjithë fëmijët autikë ose me aftësi të tjera të veçanta do të dyfishohet mbështetja për nënat e tyre që nga buxheti i vitit të ardhshëm.
“Tek programet për mbrojtjen sociale. Janë një sërë programesh që ne i kemi hapur rishtaz. Për të gjithë fëmijët autikë, ose me aftësi të tjera të veçanta ne do të dyfishojmë që në buxhetin e vitit të ardhshëm mbështetjen për nënat e tyre”, tha Rama.
/abcnews.al/