Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar se masa e arrestit duhet të jetë hapi i fundit në procesin e hetimit.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se parlamenti i dha fund një debati të gjatë politik dhe institucional mbi kërkesën për autorizimin e heqjes së lirisë së një deputeti.

Sipas tij, Kuvendi e shqyrtoi me kujdes kërkesën dhe vendosi të mos e autorizojë arrestimin.

“Çështja e deputetes Balluku sipas meje dhe sipas nesh është e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë kujdes e përgjegjësi gjithçka që iu vu në dispozicion”, u shpreh Rama.

“Arresti nuk mund të përdoret si mjet”

Kreu i qeverisë kritikoi përdorimin e shpeshtë të masës së arrestit gjatë hetimeve, duke theksuar se njerëzit nuk duhet të trajtohen si mjete në luftën kundër korrupsionit kur nuk ka akuza për përvetësim apo korrupsion personal.

Ai shtoi se Shqipëria rrezikon të krijojë një rekord negativ në Evropë për numrin e personave në paraburgim.

Sipas Ramës, vendi mund të përfundojë duke u konsideruar “delja e zezë e Këshillit të Europës”, për shkak të numrit më të madh të të paraburgosurve krahasuar me të dënuarit.

“Deputeti është i barabartë para ligjit”

Rama theksoi se deputetët janë të barabartë para ligjit dhe duhet të hetohen nëse ka arsye për hetim, por kufizimi i lirisë së tyre nuk mund të bëhet mbi bazën e dyshimeve të përgjithshme.

“Deputeti është i barabartë para ligjit, duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e tij nuk mund të kufizohet me teori të përgjithshme që gjyqtari dhe prokurori mund të bëjnë çfarë të duan”, tha ai.

Sipas kryeministrit, kur kërkohet autorizim nga Kuvendi, parlamenti ka detyrimin të shqyrtojë me përgjegjësi kërkesën dhe të mos veprojë mekanikisht.

Vendimi për të mos autorizuar arrestimin e Belinda Ballukut ka shkaktuar debat të fortë politik, me opozitën që e ka akuzuar mazhorancën se po pengon drejtësinë, ndërsa qeveria e konsideron vendimin një mbrojtje të parimit të proporcionalitetit në përdorimin e masave të sigurisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu