
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke mirëpritur koordinimin mes qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Rama theksoi se shpërbërja e strukturave paralele në veri të Kosovës është një proces i vështirë dhe kërkon mbështetje nga BE.
“Mirëpresim koordinimin Kosovë–BE për Ligjin për të Huajt. Shpërbërja e strukturave paralele është një punë e vështirë. BE-ja duhet t’i përgjigjet këtij guximi duke hequr masat ndëshkuese dhe duke e çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se kjo nuk është një favor për vendet e Ballkanit.
Sipas Ramës, integrimi i plotë i rajonit në BE është një interes i vetë Evropës.
“Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është fitorja strategjike e vetë Evropës”, përfundoi ai.






