Kryeministri shqiptar ka folur me superlativa në faqet e gazetës italiane Il Giornale, për punën sipas tij, rraskapitëse që ka bërë Meloni për frenimin e emigracionit të paligjshëm.
“Të dhënat flasin për përpjekjet rraskapitëse të Giorgia-s në shumë fronte. Zbarkimet e azilkërkuesve në brigjet italiane janë pak më shumë se një e treta në krahasim me vitin e kaluar. Për mendimin tim çështja është se ky problem i madh, emigracioni i paligjshëm, nuk mund të trajtohet në mënyrë të qëndrueshme nëse Evropa nuk bashkohet rreth një plani të qartë strategjik. Ky plan duhet t’i përgjigjet si nevojës së fortë për të kontrolluar kufirin e përbashkët, ashtu edhe kërkesës shumë të fortë për të frenuar rënien demografike në shtetet evropiane”.
Rama nuk ka pranuar që të komentojë faktin se gjykatat po e pengojnë Melonin që të nisë të tjerë afrikanë drejt Shqipërisë.
“Nuk guxoj që të gjykoj punët e brendshme të një shteti sovran dhe demokratik si Italia, ku ndarja e pushteteve kushtetuese është e përcaktuar mirë jo vetëm në letër, por edhe në realitetin e punës së institucioneve. Ne nuk kemi asnjë përgjegjësi në ekzekutimin e marrëveshjes, përveç asaj të dhënies së disponueshmërisë totale nëpërmjet koncesionit të juridiksionit italian në territorin ku u ngritën dy qendrat”.
Ka vlerësime maksimale për qeverisjen e Melonit, që sipas tij, ka befasuar shumë njerëz.
“Giorgia ka befasuar shumë njerëz në Evropë. Ata që prisnin që të shihnin tek ajo rishtaren me këmishë të zezë që marshon në Romë ose thyen xhamat e ndërtesave të fuqive mbikombëtare, kanë zbuluar një lidere që lufton për ta bërë Italinë më të rëndësishme në Evropë, jo Evropën më pak të rëndësishme në Itali”.
Nuk i jep leksione të majtës italiane për problemin e emigracionit.
“Unë nuk jam njeri që t’i jap mësime të majtës italiane, e cila përfaqëson një botë me traditë të pamasë të mendimit dhe reflektimit politik. Përfshirja e gjithë botës dhe dëgjimi i saj dhe më pas bërja e një sinteze politike për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi parësore do të ishte diçka shumë interesante për t’u ndjekur”.
Vijon me kritikat ndaj BE-së.
“Për fat të mirë, unë duhet që të kujdesem për Shqipërinë e vogël dhe nuk më takon mua të zgjidh shumë çështje që kanë ardhur në krye në Evropë. Ka diçka tmerrësisht mbresëlënëse në faktin se ndërsa Evropa po humbet peshën dhe konkurrencën në skenën ekonomike globale. Makina e saj e jashtëzakonshme burokratike vazhdon të prodhojë rregulla dhe kufizime që e bëjnë kontinentin tonë një vend gjithnjë e më të vështirë për biznesin dhe për inovacionin”.