
Kryeministri dhe njëherazi Kryesocialisti Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Corriere della Sera” lidhur me rezultatin e votimeve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, i cili projekton Partinë Socialiste si fituese.
Në shkrimin e publikuar nga “Corriere della Sera”, theksohet se kryeministrit Rama shqiptarët i kanë besuar një mandat të katërt në krye të qeverisë. “Ai fiton midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe midis bashkëkombësve të tij jashtë vendit, mban Qendër-Jug dhe pothuajse pushton Veriun, bastionin e opozitës”, lexohet në shkrimin e “Corriere della Sera”.
“Kreu i Partisë Socialiste, në shtator do të betohet për mandatin e katërt radhazi. Vota popullore ende në proces numërimi i jep aktualisht shumicën absolute prej 82 vendesh (nga 140), por mund të rritet edhe më tej. Sali Berisha arrin të sigurojë rreth pesëdhjetë mandate me Partinë e tij Demokratike (qendër-djathtas)”, shkruan “Corriere della Sera”.
Mbrëmjen e djeshme, pas dhjetëra telefonatave urimi, Edi Rama iu përgjigj edhe gazetës ‘Corriere’”, vijon shkrimi.
I pyetur nëse e priste një fitore kaq të thellë pas 12 viteve qeverisje, kryeministri Rama shprehet se “sinqerisht po, sepse punuam shumë për të arritur tek kjo fitore, duke folur me fakte, duke treguar qartë rrugën kryesore për Shqipërinë e fëmijëve tanë, duke i besuar dhe duke u fokusuar rinovimit të brezave në listat tona të kandidatëve dhe ku kemi promovuar edhe shumë gra e vajza. Po ashtu, duke organizuar partinë për një lojë të madhe skuadre në terren”.
Rama tha se shqiptarët preferuan Partinë Socialiste “sepse ne e ndryshuam Shqipërinë me një vizion të qartë dhe këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë shumë politikanë, dhe ata dinë të bëjnë dallimin midis atyre që punojnë seriozisht për të ardhmen e vendit dhe atyre që kufizohen në retorikën e disfatizmit. Edhe kemi gabuar, por kemi kërkuar falje. Por ne kurrë nuk u ndalëm, kurrë nuk u fshehëm, kurrë nuk u dorëzuam përballë vështirësive dhe ngritëm një komb të tërë duke e bërë atë krenar për emrin e tij”.
Rama nënvizon se “PS nuk fiton sepse humbet opozita, por sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim së bashku”.
Duke folur për votën e diasporës, ku PS është në epërsi, Rama thekson se ky fakt e emocionon. “Më prek, sinqerisht. Ata që jetojnë jashtë vendit kanë një vizion më të gjerë dhe më kërkues. Nuk votojnë nga nostalgjia, por për shkak të vlerësimit të situatës. Është një votë besimi nga ata që u larguan nga vendi, por nuk janë larguar nga Shqipëria. Dhe nëse diaspora na beson, kjo do të thotë se ne po transmetojmë një imazh që i bën ata krenarë”.
Rama tha se kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni i ka shkruar një mesazh. “Po, ajo më shkroi një mesazh ‘nga motra për vëllain’”, tha Rama.
Duke folur për objektivat e qeverisë socialiste për katër vitet e ardhshme, Rama tha se “ne do të përfundojmë kantierin e madh evropian të Shqipërisë. Qëllimi ynë është të përfundojmë negociatat e pranimit deri në vitin 2027. Ndërkohë, paralelisht ne do të vazhdojmë të modernizojmë vendin, duke forcuar sundimin e ligjit dhe ekonominë, duke mbështetur familjet dhe duke e bërë transformimin 360 gradë të vendit të pakthyeshëm. Çdo ditë, me përulësi dhe vendosmëri”.
i pyetur për skepticizmin e shfaqur nga disa ekspertë mbi afatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030, Rama thekson se “ekspertët shpesh kanë të drejtë, por ata kurrë nuk e kanë ndryshuar rrjedhën e historisë.» Këtë e ndryshojnë popujt dhe lidershipet e vendosura. Unë nuk bëj parashikime: Unë flas për objektiva dhe në këtë rast për një objektiv të përbashkët me Brukselin. Dhe Shqipëria, nëse vazhdon të bëjë detyrat e shtëpisë siç ka bërë deri më tani, do të jetë plotësisht gati në vitin 2030”./abc