HAGË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas daljes nga godina e Gjykatës Speciale në Hagë, ku zhvillohet procesi ndaj ish-Presidentit të Kosovës dhe ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Në një deklaratë publike, Rama e ka cilësuar procesin si “teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare”, duke akuzuar këtë gjykatë për rrëmbim pa gjyq dhe pa akuzë të një presidenti të zgjedhur nga populli i Kosovës.

Sipas Ramës, Thaçi u mor nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte vendosur sovrani, ndërsa e gjithë çështja u ngrit mbi një farsë të nisur me akuzat për trafik organesh, të cilat ai i cilësoi si të orkestruara nga “kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg” dhe të vazhduara me absurditete e dëshmitarë groteskë në Hagë.

Kryeministri tha se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e përshkruar si një njeri të pafajshëm me karakter të fortë, pavarësisht kufizimeve që, sipas tij, i janë vendosur edhe në të drejtat minimale. Rama i quajti këto ndalime një turp më vete për drejtësinë ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Rama bëri të ditur se ka biseduar me Thaçin për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe për libra që i kishte dhuruar. Ai përmendi librin “Skënderbeu” të Aurel Plasarit dhe librin e fundit të Henry Kissinger-it, ndërsa tha se Thaçi, me ironi dhe të qeshur, e quan vendin e izolimit të tij “institut”.

Në reagimin e tij, Rama u shpreh se kjo çështje përfaqëson një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike, të financuar nga taksapaguesit e vendeve demokratike, ndaj një populli europian që u çlirua nga një regjim shtypës dhe i dha fund, sipas tij, një forme apartajdi në kontinent.

Në përfundim, Kryeministri Rama shprehu mbështetje të plotë për Republikën e Kosovës, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë të ndaluarit pa gjyq prej më shumë se pesë vitesh, duke e cilësuar këtë situatë si një njollë për Europën e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu