Kryeministri Edi Rama ka garantuar dëmshpërblim të plotë për banesat dhe gjënë e gjallë të dëmtuara nga përmbytjet e ditëve të fundit, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, thirrur për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut në disa zona të vendit.

Rama deklaroi se qeveria ka rritur investimet për emergjencat civile, duke theksuar se për vitin 2026 do të investohen 11 milionë euro, ose 8% më shumë se një vit më parë. Sipas tij, janë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kulluese, të cilat më parë ishin në gjendje të degraduar.

“Investimi më i madh ka qenë transformimi i trupave të emergjencave, nga struktura joefektive në trupa funksionale që vihen realisht në punë. Reshjet e pazakonta goditën të gjithë rajonin, por sot Shqipëria është ndryshe”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë siguroi qytetarët e prekur se shteti do të qëndrojë pranë tyre jo vetëm në menaxhimin e situatës emergjente, por edhe në fazën e rikuperimit. “Dua t’i siguroj të dëmtuarit se do të qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor e shtetëror, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë”, theksoi ai.

Rama bëri thirrje për angazhim të vazhdueshëm të deputetëve dhe pushtetit vendor, duke nënvizuar se mobilizimi 24-orësh i strukturave shtetërore dhe bashkive do të vijojë pa ndërprerje deri në kapërcimin e plotë të situatës së përmbytjeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu