
Kryeministri Edi Rama përsërit apelin për lirimin vullnetar të hapësirave pranë akseve kombëtare që janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Në një postim në Facebook, Rama thekson se 31 korriku është afati i fundit për bizneset dhe subjektet që kanë zaptuar hapësira publike pranë rrugëve, për t’u larguar vullnetarisht.
Pas kësaj date, do të ndiqen masa penalizuese për ata që nuk zbatojnë urdhrin.
Ky aksion është pjesë e reformës së thellë që synon të lirësojë çdo centimetër hapësirë publike, duke garantuar rrugë më të sigurta dhe më të aksesueshme për qytetarët.
Edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sot, 30 korrik, në terren për inspektim në aksin rrugor Kamëz-Laç, ku theksoi rëndësinë e kësaj reforme.
“Jemi sërish në terren për reformën e rikthimit të ligjshmërisë në territorin e Shqipërisë, sa i përket edhe sigurisë rrugore dhe hapësirës publike që duhet liruar tashmë. Siç kemi informuar një javë më parë, u kemi bërë thirrje të gjitha bizneseve që ndodhen në zonat e akseve kombëtare të marrin masa dhe të lirojnë hapësirat. Sidomos te varrezat e automjeteve, që sipas një akti normativ të vitit 2011, duhet të jenë 1 km larg rrugës kombëtare”, u shpreh Balluku më herët./tvklan.