
Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje një episod të dhunshëm nga viti 1997, duke zbuluar se pasojat e asaj ngjarjeje vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot me probleme në frymëmarrje.
Gjatë një bashkëbisedimi në podcastin “Flasim” me një mjeke kirurge, Rama tregoi se dëmtimi i hundës nuk ishte një problem natyror, por pasojë e dhunës fizike që kishte përjetuar në atë periudhë të trazuar për vendin.
“Unë jam i parregullueshëm. E kam një problem, por nga dora e njeriut, jo nga natyra. Ma kanë marrë njëherë hundën në dorë si skulptorë dhe ma kanë bërë copash. Kam probleme me frymëmarrjen,” – u shpreh ai.
Kreu i qeverisë shtoi se plagët janë “patina e kohës”, duke nënvizuar se edhe kur thyhet një pjesë e trupit, nuk është gjithmonë zgjidhje ta zëvendësosh për ta bërë të duket si e re.
“Mua ma mori në dorë hundën një skulptor me leva hekuri, e kam edhe këtu mbrapa. Janë patina e kohës, dhe edhe kur thyhet ndonjë hundë a dorë, nuk është mirë ta zëvendësosh dhe të bësh sikur janë të reja,” – tha Rama.
Ngjarjet e vitit 1997 mbeten ndër momentet më të dhunshme në historinë e tranzicionit shqiptar, ndërsa rrëfimi i Ramës hedh dritë mbi përjetimet personale gjatë asaj periudhe.






