
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se në Theth ka nisur zyrtarisht pastrimi i mbetjeve inerte të shkaktuara nga prishja e ndërtimeve pa leje, si pjesë e zbatimit të vendimeve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Operacioni po zhvillohet me mbështetjen e forcave të xhenios dhe ka në fokus 40 subjekte që, sipas kryeministrit, kishin ndërtuar mbi 100 struktura pa leje, përfshirë mure betoni, konstruksione metalike dhe godina prej druri, në zonën e mbrojtur të Thethit.
Rama e cilëson situatën si një “dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë dhe të peizazhit magjepsës të asaj zone”, duke theksuar se këto ndërtime cënonin jo vetëm natyrën dhe trashëgiminë, por edhe përpjekjet shumëvjeçare të banorëve që kanë kontribuar për ta bërë Thethin një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit malor në vend.
“Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit”, deklaron Rama, duke nënvizuar se procesi do të vazhdojë deri në ekzekutimin e plotë të vendimeve dhe shembjen e një godine masive që ende mbetet në këmbë.
Ai e ka cilësuar këtë ndërhyrje si pjesë të fazës së re të projektit qeveritar për transformimin e zonave urbane, të cilën e ka emërtuar “Rilindja Urbane 2.0”, duke e lidhur drejtpërdrejt me objektivin kombëtar të Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian.
Kjo ndërhyrje në Theth vjen mes debatit të fortë publik për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe përplasjes së vazhdueshme mes autoriteteve shtetërore dhe disa banorëve të zonës që kanë kundërshtuar shembjet. Sipas autoriteteve, operacioni synon të rivendosë rendin dhe të mbrojë trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Alpeve Shqiptare.
Rama ka dhënë mesazhin e qartë se zbatimi i ligjit nuk do të ndalet dhe se asnjë ndërhyrje e paligjshme në zona të mbrojtura nuk do të tolerohet më në emër të zhvillimit.