
Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën zyrtare në Vatikan, me ftesë të Selisë së Shenjtë, ku pritet të zhvillojë një audiencë me Papa Leonin XIV.
Vizita ka filluar nga Genazzano, në bazilikën ku ndodhet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si “Mbretëresha e Shqipërisë”. Sipas Ramës, që prej vitit 1467 – kur ikona u soll nga Kisha e Shkodrës – asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk kishte vizituar më parë këtë bazilikë, ku qëndron edhe flamuri kombëtar shqiptar.
Kryeministri është nisur drejt Romës i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe një delegacion zyrtar. Në Vatikan, ai do të pritet në Pallatin Apostolik, fillimisht në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të tjerë të Selisë së Shenjtë.
Më pas, Rama do të zhvillojë audiencën me Papa Leonin XIV në Bibliotekën Papnore, ndërsa vizita do të vijojë me ndalesa në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe ambiente të tjera të rëndësishme të Vatikanit.
Ndërkohë, përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë komentoi edhe debatet mbi regjistrimin e një shoqate prokurorësh, duke sqaruar se deklarata e tij nuk kishte për qëllim “të thumbonte”, por të theksonte se procesi i regjistrimit nuk përfundon vetëm në gjykatë, pasi kërkon edhe procedura pranë tatimeve. Rama kritikoi gjithashtu “zëdhënësit vullnetarë”, të cilët sipas tij shpërndajnë informacione të pjesshme dhe të nxituara.



