
Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë këtë të premte në Tiranë kryetarët e bashkive nga e gjithë Shqipëria, në një takim që shënon nisjen zyrtare të turit kombëtar të Partisë Socialiste me moton “Punët për Shqipërinë”.
Takimi do të zhvillohet në orën 11:00 dhe vjen pas një serie konsultimesh që Rama ka zhvilluar gjatë dy javëve të fundit me Grupin Parlamentar dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Turi kombëtar, i cili do të zgjasë rreth 9 javë, është pjesë e strategjisë së komunikimit të socialistëve dhe do të përfshijë diskutime tematike çdo javë, duke u fokusuar në çështje kyçe si integrimi në Bashkimin Europian, ekonomia, pagat dhe punësimi, turizmi, kultura, diaspora, arsimi, bujqësia dhe siguria ushqimore.
Paralelisht me këtë nismë, Partia Socialiste ka nisur edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, deklaroi se forca politike ka hyrë në fazën përgatitore për proceset e brendshme dhe për organizimin e fushatës që do të vijojë në muajt në vijim.
Ky tur konsiderohet si një hap i rëndësishëm në mobilizimin politik të socialistëve dhe në prezantimin e prioriteteve të qeverisë për periudhën në vijim.



