
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, në fjalën e mbajtur gjatë Asamblesë së PS në Vlorë, e cilësoi këtë si një moment historik për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.
Rama tha se për herë të parë Bashkimi Europian e ka realisht derën e hapur për Shqipërinë, duke sjellë si argument hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda 11 muajve, një ritëm që sipas tij nuk ka ndodhur më parë me asnjë vend tjetër.

Ai u ndal edhe te zhurma politike e javëve të fundit për negociatat, duke kundërshtuar pretendimet për bllokim të procesit. Sipas Ramës, të 27 vendet anëtare të BE-së kanë mbështetur hapat përpara të Shqipërisë, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë se përpiqen të krijojnë mjegull dhe pasiguri në opinionin publik.
Në fjalën e tij, kryeministri e lidhi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me nevojën për stabilitet politik, duke thënë se 83 mandatet e Partisë Socialiste janë garanci për të mos lejuar pengimin e reformave dhe të negociatave me Bashkimin Europian.
Rama theksoi gjithashtu se vendi ka shënuar përparim ekonomik, me rritje të pagave, pensioneve dhe turizmit, ndërsa mbrojti reformën në drejtësi si një proces të pakthyeshëm. Ai nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me vendosmëri rrugën drejt BE-së, duke mos lejuar, sipas tij, që “balta”, shpifjet dhe zhurma politike të devijojnë fokusin nga objektivi historik i anëtarësimit.






