Qeveria do të falë gjobat e vendosura ndaj qytetarëve për ndërtim të paligjshëm, si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve në banesa të vjetra apo në truallin e tyre.
Këtë lajm e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të Thethit dhe të disa zonave të tjera të Veriut.
Kreu i qeverisë deklaroi se këto ndërtime nuk janë bërë për të abuzuar dhe shmangur ligjin, por nga nevoja.
“Ka një masë shumë të madhe gjobash si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit. Dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur, qeveria do t’i falë gjithë gjobat. Nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’iu shmangur ligjit, janë ndërtime të bëra nga nevoja. Në kushtet e pamundësisë ligjore, njerëzit kanë vazhduar t’i bëjnë. Kjo s’do të thotë që kush do vërë një gur pa leje më tutje do tolerohet, kjo do të thotë që në atë fazë kur kjo ka ndodhur s’ka pasur vëmendje nga bashkia, zero”, theksoi Rama./ CNA