
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e zgjeruar me Kryeinspektorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e inspektorateve, ku u diskutuan sfidat e fazës së re të reformës së sistemit të inspektimeve.
Në aktivitetin e çelur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u paraqitën piketat kryesore të reformës, përfshirë ndërtimin e bazës ligjore, konsolidimin e inspektorateve, thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e transparencës.
Rama theksoi se është kapërcyer faza e parë e reformës dhe se tashmë vendi do të kalojë në zbatimin e thelluar të saj, i cili do të shoqërohet edhe me ndërtimin e kompleksit të ri të Inspektoratit të Përgjithshëm për të bashkuar strukturat në një trupë të vetme.
Sipas kryeministrit, inspektimi mbetet një problem në organizimin dhe funksionimin e shtetit, ndaj përmirësimi i sistemit është thelbësor. Ai kërkoi plane të qarta pune për inspektorët, më pak kontrolle të panevojshme ndaj bizneseve dhe një qasje që synon korrigjimin e gabimeve, jo ndëshkimin.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rëndësinë e racionalizimit të inspektimeve, harmonizimit me Tatimet dhe digjitalizimit të proceseve për të rritur besueshmërinë dhe për të ndihmuar sipërmarrjen.
Ai shtoi se bashkëpunimi me universitetet, trajnimet e vazhdueshme dhe një sistem i besueshëm rekrutimi do të jenë elementë kyç për profesionalizimin e inspektorëve dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.



