
Jeruzalem – Kryeministri Edi Rama, i cili po vijon vizitën zyrtare në Izrael, iu adresua sot Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, një aktivitet që përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Konferenca u përshëndet gjithashtu nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, si dhe nga Ministri i Çështjeve të Diasporës, Amichai Çikli, të cilët theksuan rëndësinë e angazhimit të përbashkët ndërkombëtar kundër çdo forme të antisemitizmit dhe urrejtjes.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim nuk është thjesht politik, por buron nga vlerat më të thella humane, morale dhe historike të popullit shqiptar.
Ai rikujtoi se gjatë periudhës më të errët të historisë evropiane, Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës shqiptare dhe solidaritetit njerëzor. Rama theksoi se ky kapitull i historisë përbën një dëshmi të qartë të identitetit dhe përgjegjësisë morale të Shqipërisë për të qëndruar gjithmonë në anën e dinjitetit njerëzor.
Kryeministri vuri në dukje se përballë rritjes së gjuhës së urrejtjes dhe ekstremizmit në nivel global, lufta kundër antisemitizmit mbetet një detyrim i përhershëm, jo vetëm për të kujtuar të shkuarën, por për të mbrojtur vlerat demokratike dhe bashkëjetesën në të tashmen dhe të ardhmen.
Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael përfshin takime dhe pjesëmarrje në aktivitete të nivelit të lartë, me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët kundër antisemitizmit dhe çdo forme diskriminimi.






