Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Asambleja e Partisë Socialiste në Durrës se Shqipëria ndodhet në një moment historik për integrimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se vendi duhet të veprojë shpejt për të mos humbur këtë mundësi.

Rama hodhi poshtë zërat për veto nga shtetet e BE-së, duke i cilësuar si “barsoletë”, ndërsa shpjegoi procesin e negociatave si një mekanizëm me dy nivele: Komisionin Europian dhe shtetet anëtare, ku vendimet merren me unanimitet.

Ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres të shpejtë, duke hapur të gjithë kapitujt negociues në një kohë rekord, ndërsa shtoi se reformat janë të rëndësishme jo vetëm për anëtarësimin, por për përmirësimin e vetë shtetit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te zhvillimet ndërkombëtare, duke pranuar se ndryshimet politike në vendet kryesore të BE mund të ndikojnë procesin, por theksoi se Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat e saj.

Sa i përket turizmit, ai u shpreh se tensionet dhe konfliktet në rajone të tjera mund të kenë efekt pozitiv për Shqipërinë, duke rritur fluksin e vizitorëve, ndërsa paralajmëroi se rritja e çmimeve, sidomos e naftës, mbetet një shqetësim.

Në fokus ishte edhe zhvillimi i Durrësit, ku kryeministri paralajmëroi investime të reja, përfshirë projekte në turizëm dhe infrastrukturë, si dhe ndërtimin e marinës, që sipas tij do të rrisë ndjeshëm atraktivitetin e qytetit.

Një tjetër çështje kyçe ishte strehimi, ku Rama pranoi se vendi ka kaluar nga problemi i strehimit social në atë të strehimit të përballueshëm. Ai paralajmëroi politika të reja, përfshirë fond të përbashkët nga taksa e ndërtimit dhe skema mbështetëse si kredi me interes zero për kategori të caktuara.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet e ardhshme kanë rëndësi të veçantë politike, duke i lidhur ato drejtpërdrejt me objektivin strategjik të anëtarësimit në BE.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu