Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim përmbyllës në Vlorë, në kuadër të fushatës drejt zgjedhjeve të 11 majit, ku prezantoi vizionin për **Shqipërinë 2030** dhe rolin që Vlora do të ketë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Rama deklaroi se Vlora në fund të kësaj dekade do të jetë “xhevahiri i kurorës së turizmit mesdhetar”, duke theksuar investimet e bëra dhe projektet në vijim. Ai përmendi aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, që së fundmi ka testuar fluturimin e parë dhe do të hapë dyert për pasagjerët në vjeshtë. “Ky nuk do të jetë thjesht një aeroport turistik, por një qendër ndërkombëtare me fluturime gjatë gjithë vitit, qendër për mirëmbajtjen e avionëve dhe me akademi të aviacionit civil dhe ushtarak,” tha Rama.

Ai shtoi se Vlora do të ketë një nga portet më të bukura të jahteve në Mesdhe, si dhe një port tregtar modern në Triport, ndërsa paralajmëroi një zinxhir të ri hotelesh luksoze që do ta kthejnë zonën në një destinacion të nivelit më të lartë turistik.

Rama u bëri thirrje vlonjatëve që më 11 maj të marrin pjesë masivisht në votime, duke e cilësuar këtë si një “takim me historinë” për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fund të takimit, kreu i qeverisë ftoi këngëtarin Noizy në skenë si surprizë për publikun, ku të dy bashkë interpretuan këngën e dedikuar për këtë fushatë, ndërsa flamujt kuqezi valëviteshin në shesh.

“Vlora e 2030 do të jetë një vend që do të përmendet në gjithë Europën,” tha Rama, duke kërkuar mbështetje për Partinë Socialiste që, sipas tij, garanton vazhdimin e këtij transformimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu