
Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy” ku çdo të martë e të enjte zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët nëpërmjet komenteve.
Kreu i qeverisë iu përgjigjet live pyetjeve të adresuara nga ndjekësit në platformat sociale.
“Pse në BE nuk shkohet ndryshe përveçse duke votuar për mua dhe PS sepse futja në BE është proces që sot është shumë konkret dhe për herë të parë, qysh se ne kemi dalë nga errësira e komunizmit, ka një përputhshmëri të plotë midis dëshirës tonë për të hyrë në BE dhe të tyres për të na marrë. Në procesin e integrimin që nga viti ’90 pas rënies së murit të Berlinit, të vendeve ish komuniste në BE ka pasur momente që dera është hapur dhe është mbyllur për arsye të politikës së brendshme të BE. Nga ana tjetër, jemi në një moment ku dera është hapur për ne dhe Malin e Zi. Çdo të thotë dera është e hapur për ne? Kemi në tryezë një kalendar pune, që ka një afat, fundin e vitit 2027 për të përmbyllur negociatat.”
BE nuk bën as lojëra dhe as komente në FB, nuk merr pjesë në votim e në Shqipëri nuk ka fanelë partiake por ka një mekanizëm të tërë për të monitoruar ecurinë e punëve në një vend që pretendon të bëhet pjesë e BE. Dhe nuk do të dijë fare as për përkatësira politike, është mekanizëm i ftohtë që shikon vetëm punën dhe rezultatet. Nëse thotë të kundërtën e këtyre që thua ti, do të thotë që në të vërtetë Shqipëria po bën hapa shumë të mëdhenj në transformimin e të gjithë organizmit të vetë shtetëror, dhe po bëhet shtet i gatshëm për t’u bërë shtet anëtar i BE. Ky është fakt që s’e luan as topi. Pse duhet vota me 11 Maj, sepse këto negociata janë një proces ku nuk ka asnjë ditë, jo më muaj apo vit për të humbur. Nëse humbasim edhe një ditë, gjërat shtyhet dhe porta mund të mbyllet.”
Kryeministri Edi Rama nuk kurseu as ironinë për opozitën, teksa tha se nuk mund të humbasësh integrimin në BE për mustaqet e Çelos.
“Që ne të humbasim më shumë se 1 miliardë euro në vit nga anëtarësimi i mundshëm për mustaqet e Çelos apo e lagu s’e lagu apo kush je ti apo unë. Do të ishte fatalitet i madh. Nëse ne hyjmë në BE, marrim këtë përfitim, atëherë shumëçka këtu që ka nevojë të bëhet më shpejt, bëhet më shpejt, se fitojmë buxhet ekstra nga hyrja në BE.”, tha kryeministri.
Rama i është përgjigjur edhe një komentuesi që thotë se Shqipëria është mesjetë.
“Ti thuash Shqipërisë mesjetë do të thotë të jesh kaq i verbër dhe i mllefosur për arsye politike sa të flasësh një gjë për të ardhur keq. Shqipëria është në një fazë transformimi që e shohin të tërë ata që nuk e shohin realitetin tonë me syzet e politikë së ditës. Në një fazë transformimi që ka bërë që Shqipëria nga një vend që nuk ia hidhte kush qurret, të shihet me respekt dhe besim dhe shihet si një vend i vogël por serioz në arenën ndërkombëtare. Që shihet si një destinacion turistik i atillë që rritet çdo vit me shpejtësi marramendëse. Nëse do të ishte mesjetë, asnjëra dhe as tjetra nuk do të ndodhte.”, tha Rama.
Rama shprehet i bindur për fitoren më 11 Maj, por ai thotë se populli duhet t’i çojë një mesazh BE.
“Qeveria jonë mund të ketë bërë shumë gabime, por askush përballë nuk bën dot këtë që ne mund të bëjmë. Do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje në 11 Maj. Që të jemi të qrtë nuk parashoh ndryshim të maxhorancës, të shumicës. PS do ta rifitojë shumicën. Këtu çështja është se cili do të jetë mesazhi që populli do t’i japë BE, mesazh që këtu ne jemi siç ishim apo që jemi të vetëdijshëm se dera është hapur dhe duam të hyjmë në BE. Nëse duhet të jetë ky mesazhi i dytë, duhet një shumicë. Kjo nuk ka lidhje me fanelën apo me faktin që ne rrezikojmë të humbasim zgjedhjet. Kjo nuk ndodh për arsyen e thjeshtë sepse shqiptarët janë shumë të mençur dhe kanë instikt të fortë politik dhe për politikë nuk ua ha shkopin asnjë lloj qeni. Në këtë aspekt, siç tregojnë të gjitha sondazhet nuk është ky shqetësimi, por çfarë do të dalë si mesazh nga zgjedhjet.”, tha Rama./report