Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar turin e tij elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke zhvilluar sot takime në jug të vendit.

Ai mbajti miting përmbyllës edhe me mbështetësit e PS në qytetin bregdetar të Sarandës, ku u prit edhe me këngë polifonike, mes tyre edhe ajo e “flamurit të kuq me shkabë”.

“Drejt finishit, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruante kryeministri në postimin e tij në llogarinë personale të rrjetit social Facebook, pak minuta para mitingut.

Para se të nisnin fjalimet e rastit elektorale, asambli i këngëve dhe valleve popullore të qytetit realizoi edhe një kolazh muzikor për të pranishmit.

Kryeministri foli për mikpritjen në Sarandë, duke e shoqëruar edhe me batuta, teksa premtoi investime të tjera në qytet në të ardhmen, sidomos problematika e furnizimit me ujë të pijshëm, sidomos gjatë sezonit turistik, për shkak të fluksit të madh të turistëve dhe nevojave për furnizim më të madh.

“Faleminderit kryetarit të bashkisë që na bashkoi në një kohë të mirë, na premtoi kohë të mirë, pastroi qiellin dhe koha është e mirë.
Sa herë kam ardhur këtu kam gjetur jo vetëm kantiere të reja, por edhe njeri të përkushtuar si kryetar bashkie, qytet gjithmonë edhe më shumë energjik. Shumë gjëra kanë ndryshuar në Sarandë dhe kur ju mbështetët atë, ne mbështesim edhe më shumë Sarandën.
Këtu është bërë investim goxha i rëndësishëm për ujin në vitin 2015. Këtë po them… ta mbaroj fjalinë e shkretë pra… ta mbaroj (i drejtohet dikujt në shesh)… se thashë por! Në Sarandë është bërë investim shumë më tepër sepse është shtuar numri i konsumatorëve, sepse ka fluks të turistëve për sezonin, që janë të mirëseardhur, e vjen rënia e furnizimit si pasojë e fluksit. Ndaj ka nevojë për investim tjetër më të madh e të mëtejshëm”, tha Rama.

Ai i cilësoi zgjedhjet si më të rëndësishmet në histori dhe një shans që nuk duhej humbur, pasi dera e BE-së mbyllej.

“Këto janë zgjedhjet dhe momenti më historik i vendit që nga viti 1992, zgjedhjet e 22 marsit kur u votua PD, sepse ajo parti ishte në kohën dhe vendin e duhur dhe jo se njerëzit ishin me PD. Vota juaj ka peshë historike në funksion të një qëllimi europian, peshë historike për integrimin në BE. Asnjëherë më parë, apo në zgjedhje të tjera nuk ka qenë e shtruar në rend dite, por ka qenë vetëm aspiratë.
Që nga koha e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, një ëndërr e tij e nipërve të tij, stërnipërve e më pas, profeci që kaloi te rilindasit tanë që u bë amanet duke zgjedhur alfabetin, që ishte alfabeti latin dhe thanë se “dielli lind andej nga perëndon”, e lanë me shkrim, sepse ne duhet të ishim me Europën e jo Azinë. Pastaj ndodhën ato që ndodhën, fatkeqësi, ku shumë herë ne ia lënë fajin të tjerëve, Europës, të jashtëmve, por po ta shohim me realitet, s’ia kanë bërë të huajt, atë që shqiptarët e mbrapshtë ia kanë bërë këtij vendi”, tha Rama për mundësinë që i ka ardhur vendit.

Ai iu referua historisë së shkuar të vendit, dramave dhe tragjedive, ëndrrës europiane që nga koha e Skënderbeut dhe amaneti i rilindësve.

“Dhe kjo histori shkoi derisa kupa u mbush, populli doli në rrugë, për të përmbysur historinë, u lëshua i gjithë me thirrjen nga shpirti “Shqipërinë si gjithë Europa”. Por 1997 që na largoi nga Europa njëlloj si anijen aty apo varkën që i hodhi një furtunë e madhe matanë, s’e bënë të huajt, por shqiptarët, mbrapshtia e shqiptarëve. E kështu ne humbëm momentin historik. Jemi rrëzuar dhe ngritur. Por që nga ajo histori e deri më sot, shqiptarët nuk kanë vënë në dyshim se ne duam të jemi pjesë e BE. BE gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm fjalët se një ditë do ishim me ta, por asgjë tjetër, dera ka qenë gjithmonë e mbyllur. Këtë herë u hap. Por ata nuk e mbajnë gjithmonë hapur. Ajo hapet kur të 27 bien dakort atje brenda, e jo kur ti troket, sepse ti mund të trokasësh sa të duash. E kur ti je gati, e kur ata janë gati për interesin e tyre. Kjo do të thotë se kanë krijuar vlerësimin dhe respektin dhe kanë krijuar mendimin ta japin shansin për të hyrë brenda”, vijoi kryesocialisti.

Gjithashtu ai renditi edhe vështirësitë e hasura prej vitesh dhe se si shihej Shqipëria para se PS të merrte pushtetin.

“Ju e dini mirë, sa herë ishim gati, kur shkonte te 27 krerët e vendeve, edhe pse ishim gati, dilte njëri, e pastaj tjetri dhe na refuzonin negociatat. Më në fund ne i bindëm ata, e ata i hapën negociatat. Por ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët për atë takim me historinë, është se na kanë dhënë një mundësi që s’ia kanë dhënë askujt tjetër. Një afat për të mbyllur negociatat për 3 vjet, asnjë vend tjetër s’i ka bërë në kaq kohë e s’i është dhënë ky afat. Nami i zi që na kishte lënë bufi në Europë. Dhe unë në takimet e mia e ndjeja, ku ata mezi prisnin që unë të ikja. S’e llogariste njeri Shqipërinë atëhere siç e llogarit sot. Ajo që s’duhet të ndodhi është që dera të mos mbyllet dhe ndaj ne duhet t’i qëndrojmë strikt afatit që kanë vënë, e që ata s’e ndërrojnë dot se e kanë vënë. Por nëse lëkunden do jenë të ashpër. Ndaj t’i tregojmë se do e bëjmë procesin me afat”, tha Rama në diskursin e tij elektoral.

Podiumi i takimit këtë herë ishte ngritur në sheshin buzë detit. Tubimin e hapi kreu politik i qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, i cili tha:

“Kemi bërë dhe do bëjmë më shumë në vijim. Ne me Edi Ramën në krye do e çojmë Shqipërinë në BE, si një vend me të drejta të plota dhe anëtare e familjes europiane, një ëndërr e të gjithë shqiptarëve, që do bëhet realitet më 2030. 11 maji është një ditë përtej politikës, nuk votoni për ne, por për Shqipërinë në Europë, është 4-vjeçari ndoshta më i rëndësishëm i Shqipërisë”, tha ai mes të tjerash, teksa ftoi edhe kandidatët e pranishëm të qarkut.

Kurse kandidatja që vjen nga komuniteti rom, Ina Majko, u shpreh:

“Partia Socialiste ka ndërmarrë një nismë për të hequr një tavan të ndasive dhe diskriminimit. Shqipërisë i duhet integrimi dhe këtë e bën vetëm PS”, tha ajo.

Kandidati tjetër socialist, Ardit Bido, u shpreh se si një i lindur dhe rritur në Sarandë, e kërkonte votën për këtë moment historik dhe europian.

“Të majtë dhe të djathtë të votojnë për këtë moment historik. Shqipëria është europiane dhe duhet të jetë europiane. 11 maji është një sfidë historike për shqiptarët”, tha ai.
Nga Saranda, kryesocialisti Edi Rama “shigjetoi” këtë të shtunë edhe partitë e reja e të vogla.

“Ato parti të vogla janë cikli i dytë i farës së të ndjerës LSI dhe juve kjo ju kujtohet mirë se çfarë kemi hequr duke i provuar të gjitha dhe konkluzioni im është: sa më e vogël një parti, aq më të vogla interesat e atyre. Partitë e vogla janë për interesave të vogla. Një parti e madhe si PS është për interesin kombëtar. Aq e vërtetë është kjo që po kthehesh mbrapa, PS mund të ketë shumë gabime në 35 vjet, por nuk ka asnjë moment që mund të ketë tradhtuar interesin kombëtar”,-tha Rama./shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu