
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë nr. 3 në Tiranë, ku prezantoi linjat kryesore të buxhetit të vitit 2026 dhe prioritetet sociale të mandatit të katërt qeverisës. Ai theksoi se ky është “buxheti i pensionistëve”, duke njoftuar se qeveria ka vendosur në dispozicion 1.7 miliardë euro për rritjen progresive të pensioneve deri në vitin 2030. Sipas planit të bërë publik, pensioni mesatar urban do të arrijë në 400 euro, ndërsa pensioni minimal rural në 180 euro, duke u rritur çdo vit në mënyrë të ndjeshme falë ritmit të ekonomisë dhe reformave financiare.
Rama njoftoi gjithashtu rritjen e menjëhershme të pagës minimale në 500 euro nga janari i ardhshëm, si dhe objektivin për ta çuar atë në 700 euro brenda këtij mandati. Ai sqaroi se rritja do të shtrihet si në sektorin publik, ashtu edhe në privat, ndërsa qeveria do të paguajë për 9 muaj kontributet shëndetësore dhe shoqërore për punonjësit e sektorit privat, për të shmangur barrën financiare ndaj bizneseve.
Sa i takon bizneseve të vogla, Rama përsëriti se Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon ku ato nuk paguajnë tatim-fitim, politikë që do të vazhdojë të paktën deri në vitin 2029. Ai prezantoi gjithashtu nismën e re të “paqes fiskale”, e cila synon uljen e kontrolleve tatimore dhe krijimin e një marrëveshjeje të qartë mes sipërmarrjes dhe administratës për detyrimet vjetore.
Një element i rëndësishëm i buxhetit është krijimi i një fondi të posaçëm për barnat e spitalit onkologjik, i cili do të mbulojë të gjitha nevojat e pacientëve me kancer, duke garantuar trajtim falas dhe pa mungesa mjekimesh. Rama bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për ngritjen e një Instituti Kombëtar të Tumoreve, në standardet e vendeve të Bashkimit Europian. Ai theksoi gjithashtu partneritetin e ri me qeverinë italiane dhe bashkëpunimin me spitalin San Raffaele të Milanos për forcimin e kapaciteteve të QSUT.
Në pjesën politike të fjalës së tij, Kryeministri u ndal te situata e krijuar në Bashkinë e Tiranës pas pezullimit të kryebashkiakut dhe pamundësisë për zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Rama tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është respektuar plotësisht, por theksoi se kryeqyteti ka nevojë për një drejtues legjitim, ndërsa situata aktuale e bën çdo ditë më të vështirë funksionimin normal të shërbimeve. Ai u shpreh se Partia Socialiste dhe qeveria janë të angazhuara që puna në Tiranë të ecë përpara pavarësisht kësaj situate, duke siguruar se shërbimet për qytetarët nuk do të cënohen.







