
Milano, e diel, 13 prill 2025 – Në një takim emocionues me shqiptarët e Italisë, mbajtur sot në Milano, Kryeministri Edi Rama dha një mesazh të fortë për rëndësinë historike të zgjedhjeve të 11 majit, duke i quajtur ato si “një përballje finale me historinë tonë”.
“Për herë të parë, çdo shqiptar jashtë vendit mund të votojë pa pasur nevojë të vijë në Shqipëri. Kjo është një ditë historike,” deklaroi Rama, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Ai foli për pasaportën europiane si simbol i një epoke të re:
“Me atë pasaportë, fëmijët tuaj do të kenë të njëjtat të drejta si çdo italian apo gjerman. Nuk është vetëm një dokument – është dinjiteti juaj i barabartë.”
View this post on Instagram
Kryeministri theksoi se zgjedhja e 11 majit nuk është mes partive, por mes së ardhmes dhe së shkuarës:
“Nuk është Inter-Milan. Është Shqipëria me flamurin europian apo me leckën e kënetës.”
Rama u bëri thirrje edhe demokratëve që të lënë mënjanë përkatësitë politike për të votuar për integrimin europian:
“Çfarë fitoni duke ndjekur një bufi plak që do t’ju fusë në gropë për herë të tretë? Asgjë. E ardhmja është tani dhe është në dorën tuaj.”
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit do të vendosin për një Shqipëri anëtare me të drejta të plota në BE deri në vitin 2030:
“Na duhet një fitore popullore për të mbyllur negociatat dhe për ta çuar Shqipërinë në tryezën e Europës.”