
Në një moment të rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Katërt Ndërqeveritare Shqipëri–BE, të mbajtur në Luksemburg, ku u zyrtarizua çelja e grup-kapitullit të dytë të negociatave me Bashkimin Europian, që përfshin fushën e “Tregut të Brendshëm”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin Marta Kos dhe Ministrin e Jashtëm të Polonisë Radosław Sikorski, u theksua rëndësia gjeostrategjike e procesit të zgjerimit dhe roli i Shqipërisë si një partner i besueshëm.
Kryeministri Rama falënderoi presidencën polake për mbështetjen dhe Komisioneren Kos për përkushtimin, duke nënvizuar:
“Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është më shumë sesa një ambicie politike apo ekonomike. Është një zgjedhje ekzistenciale jete.”
Ai konfirmoi objektivin ambicioz që të gjitha grup-kapitujt të jenë çelur dhe mbyllur deri në vitin 2027, me synimin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030.
Komisionerja Marta Kos vlerësoi Shqipërinë si një histori suksesi të procesit të zgjerimit:
“Sot kemi hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit. Shqipëria është më afër se kurrë më parë objektivit të saj europian.”
Ministri Sikorski theksoi rëndësinë e zgjerimit në këtë kontekst gjeopolitik dhe vlerësoi përparimin e Shqipërisë:
“Kapitujt që hapëm janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun e përbashkët të BE-së. Shqipëria është një partnere e besueshme e NATO-s dhe mbështetëse e palëkundur e Ukrainës.”
Në fund të takimit, Kryeministri Rama theksoi se për Shqipërinë nuk ka datë të përcaktuar, por një përkushtim të plotë për të qenë gjithmonë gati për datën që vendos BE-ja. Ai shprehu besimin se presidenca polake do të vazhdojë të shtyjë përpara procesin e negociatave.
Ky hap përpara vjen si një konfirmim i përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ndërsa konferenca e sotme u konsiderua si një prej zhvillimeve më pozitive për integrimin europian të vendit në vitet e fundit.