Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në “Future Resilience Forum 2025”, forumin ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale që po zhvillohet në Londër.

I pyetur nga moderatorët për opinionin e tij lidhur me qëndrimin e Donald Trump mbi marrjen e mineraleve në Ukrainë, Rama u përgjigj me batutë:

“Edhe pse jam më i gjati ndër liderët, e di shumë mirë që Shqipëria është vendi më i vogël. Nëse më pyet mua a ka Trump të drejtë, çfarë përgjigje doni nga unë, përveç se Trump ka gjithmonë të drejtë.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk është në pozicion për të dhënë përgjigje mbi çështje globale të këtij niveli, ndërsa vuri në dukje se Europa ende nuk ka një strategji të vetën për paqen në Ukrainë.

“Europa, për disa vjet gjatë administratës së mëparshme amerikane, jashtë-kontraktoi politikën e saj të jashtme dhe e vuri veten në autopilot, duke ndjekur SHBA-në. Sot, situata ka ndryshuar, por sërish mungon një plan paqeje. Është e çuditshme që mbështesim Ukrainën me armë, por nuk kemi ende një plan për paqen,” u shpreh Rama.

Sipas tij, “Europa duhet të ketë një qëndrim autonom” dhe jo të varet vetëm nga qëndrimet e Uashingtonit.

Në forum, Rama u pyet edhe për marrëdhënien me Rusinë dhe Presidentin Vladimir Putin. Ai deklaroi se nuk është takuar kurrë me liderin rus dhe kujtoi prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit.

“Ne jemi një rast i veçantë. Shqipëria është i vetmi vend në kontinent ku, që nga viti 1960, asnjë zyrtar nga Kremlini nuk ka ardhur dhe askush nga pala jonë nuk ka shkuar në Moskë. Ne i cilësonim sovjetikët si tradhtarë, sepse ishim të vetmit që nuk e braktisëm Stalinin. Kur komunistët e tjerë e hoqën, ne e ndoqëm deri në fund – Stalini ishte në bulevardin tonë deri në 1990,” tha Rama, duke shtuar me ironi:
“Ne e duam kulturën ruse dhe Dostojevskin, por për Putinin… jo, faleminderit. Nuk na merr malli.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu