
Në një takim të mbajtur në Kombinat me komunitetet e Njësisë 6, Lagjes 14 dhe Kasharit, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e 11 majit për të ardhmen europiane të Shqipërisë, veçanërisht për të rinjtë që votojnë për herë të parë.
Rama e cilësoi hyrjen në Bashkimin Europian si një “ndryshim jetik” që do të transformojë vendin dhe do t’u japë të rinjve statusin e qytetarit të barabartë europian. Ai premtoi se, në mandatin e ardhshëm, Kombinati, Kashari dhe Astiri do përfitojnë më shumë investime për çerdhe, kopshte dhe infrastrukturë komunitare se në të gjitha mandatet e mëparshme së bashku.
Me tone ironike dhe shpesh humoristike, Rama nuk kurseu as një herë tjetër ironinë ndaj kundërshtarëve politikë:
“Gjysma e burrave në këtë vend janë çyrykë. Nuk iu punon radiostacioni! Shqipëria ka nevojë për ata që nuk janë me kënetën, por me Europën.”
View this post on Instagram
Ai e vuri theksin te mbështetja e fortë që, sipas tij, Partia Socialiste ka nga gratë dhe të rinjtë:
“Na mbështesin 56% e grave dhe vajzave dhe 56% e votuesve të rinj. Na duhet vetëm gjysma e burrave që janë normalë.”
Rama tha se Tirana ka nevojë për një qeverisje të bashkuar dhe harmonike mes nivelit qendror dhe lokal për të përmbushur potencialin e saj ekonomik dhe social. Ai e cilësoi Shqipërinë si “një ndërtim pa leje” nëse nuk mbështetet nga gratë dhe nga rinia aktive:
“Shqipëria në BE do të thotë që çdo shqiptar merr një pasaportë të re, një status të ri qytetarie, të barabartë me gjithë europianët.”
Ai përmbylli fjalën me një premtim: deri në 2030, Tirana do të bëhet shumë më miqësore për komunitetet që e përbëjnë, duke theksuar se sfidat e mëdha janë të vetmet që vlejnë për Partinë Socialiste.