
Jeruzalem – Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Izrael në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare kundër Antisemitizmit, u takua sot në Jeruzalem me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Takimi nisi me një bisedë kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe u pasua nga një takim mes delegacioneve përkatëse, ndërsa në përfundim Rama dhe Netanyahu mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Netanyahu vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke e cilësuar Ramën si një mik të popullit hebre dhe të shtetit izraelit. Ai theksoi rolin historik të Shqipërisë gjatë Holokaustit, duke nënvizuar se ishte i vetmi vend europian ku popullsia hebreje u rrit, falë mbrojtjes dhe mikpritjes së shqiptarëve.
Netanyahu vuri në dukje edhe rritjen e ndjeshme të turizmit izraelit drejt Shqipërisë, si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, përfshirë hapjen e Dhomës së Tregtisë Shqipëri–Izrael në Jeruzalem.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ndërtuara mbi një miqësi të thellë historike dhe morale, duke riafirmuar qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Rama nënvizoi se Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë në mbështetje të Izraelit, duke dënuar sulmet terroriste të Hamasit dhe duke shprehur solidaritet me viktimat dhe familjet e pengjeve. Ai shtoi se vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në rajon.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe forcimi i bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, sigurisë, sigurisë kibernetike dhe kundër terrorizmit, si dhe rritja e tregtisë dhe investimeve, përfshirë projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes.
Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e Izraelit gjatë sulmit kibernetik ndaj vendit tonë dhe theksoi se Shqipëria do të vijojë të thellojë partneritetin strategjik me Izraelin.
Në përfundim, Rama ftoi qytetarët izraelitë të vizitojnë Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një vend mikpritës, të sigurt dhe me lidhje të veçanta historike me popullin hebre.






