
Nga Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt kryeqytetit gjerman për të marrë pjesë në forumin ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue”, që po zhvillohet në Berlin. Gjatë fjalës së tij në këtë forum, Rama u ndal tek ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka pasur një vit të suksesshëm në këtë drejtim. Ai bëri të ditur se gjatë muajve të fundit janë çelur pesë nga gjashtë grupkapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa pritet që së shpejti të hapet edhe i fundit, çka sipas tij do të përbëjë një rekord për Shqipërinë.
Kryeministri theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës ka zgjuar Evropën, duke bërë që BE të marrë më seriozisht rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Shqipëria po ecën me ritme më të shpejta se më parë në procesin e integrimit dhe se sot marrëdhëniet me BE-në janë më konkrete se kurrë. Rama nënvizoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ky rajon ka nevojë për BE-në, ndërsa e përshkroi Ballkanin si “kërthizën e Evropës”.
“Po kemi pasur një vit të mbarë po ta vendosim në kontekstin e Euopës, dhe se si po shkojnë gjërat. Gjatë muajve të fundit kemi çelur 5 nga 6 grupkapitujve dhe presim që në muajin e fundit të çelim edhe grupkapitullin e fundit, çka do të na çojë në një rekord. Evropa është zgjuar dhe për të pasur një agresion të tillë do të duhej një agresion i Rusisë ndaj Ukrainës. Më parë BE thoshte që Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm, por kjo ishte vetëm me fjalë, tani e kemi edhe me vepra. Shqipëria ka çelur dhe ka mbyllur grupkapituj shumë më shpejt se sa më parë. Nuk jam fort i sigurt që të gjithaq e kanë të qartë hartën e BE. Dua të them që në historinë e hartave BE është i vetmi realitet gjeografik dhe gjeopolitik që ka dy kufij, një të jashtëm dhe një të brendshme, dhe brenda kufirit të brendshëm jemi ne. Në një farë mënyre jemi kërthiza e BE. Unë besoj fort për të gjitha ato arsye të mira është BE që ka nevojë për Ballkanin Perëndimor ashtu siç ne kemi nevojë për BE-në. Trysnia e lartë që po vjen prej agresion rus, e mban BE-në shumë të përqendruar në këtë aspekt. BE-në nuk i dihet kurrë, sepse është shumë e paparishkueshme, sepse nuk është një vend,. Është asamble me 27 vende”, tha kryeministri Edi Rama. /tvklan







