
Në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të së dielës, kryeministri Edi Rama u shfaq në podcastin “Flasim” me pesë kandidatët socialistë që garojnë për bashkitë Vlorë, Mat, Berat, Tepelenë dhe Cërrik. Kandidatët e Partisë Socialiste shprehën bindjen për një fitore të thellë, duke dhënë madje edhe përqindjet që presin të marrin në votime.
—
Kandidatët socialistë të bindur për rezultat të lartë
Brunilda Mersini (Vlorë) parashikoi 80% të votave,
Gramoz Sako (Tepelenë) tha se pret 83%,
Ervin Ceca (Berat) shpreson për 75%,
Florenc Doka (Cërrik) mbi 70%,
ndërsa Altin Bojni (Mat) parashikon 65% të votave.
“Të dielën do jetë një ditë tjetër për qytetin tim,” – deklaroi Mersini, duke nënvizuar nevojën që Vlora të jetë një qytet aktiv gjatë gjithë vitit.
—
Rama: “PD në hall, s’e vë dot fytyrën në garë”
Kreu i qeverisë shfrytëzoi takimin për të ironizuar opozitën, e cila në këto zgjedhje mbështet kandidatë të pavarur.
“Halli i PD-së është kujt t’ia lëmë humbjen në derë. Një parti që nuk guxon t’i vërë fytyrën e vet një sfide dhe përdor të tjerët si fasadë,” – u shpreh Rama.
—
Porosi për kandidatët: “Gjysmën e trurit tek fshati”
Rama i kërkoi kandidatëve që pas fitores të mos kufizohen në qytete, por të fokusohen në zhvillimin e fshatrave:
“Kryetarët e bashkive duhet ta ndajnë mendjen në dysh – 50% për qytetin dhe 50% për fshatin. Vetëm kështu mund të krijojmë ekonomi lokale dhe sipërmarrje rurale.”
—
“100 ditë për të krasitur pemën e nepotizmit”
Duke iu drejtuar kandidates së Vlorës, Brunilda Mersini, Rama dha një urdhër të prerë:
“Të gjithë drejtorët e bashkisë duhet të jenë në punë në orën 7:30. Brenda 100 ditësh dua të kesh prerë degët e nepotizmit. Kush nuk punon, të ikë.”
—
Reagim për vendimin e Kushtetueses për Veliajn
Kryeministri komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që riktheu Erion Veliajn në detyrë si kryebashkiak të Tiranës, duke e quajtur “një skandal institucional”:
“Tirana nuk mund të trajtohet si trup pa kokë. Ky vendim është i dëmshëm për qytetarët që kanë nevojë për të zgjedhurin e tyre.”
—
Premtimet ekonomike
Në fund, Rama përmendi rritjen e pensioneve mbi bazën e bonusit mujor dhe rritjen e pagës minimale nga 400 në 500 euro, duke e quajtur këtë “mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”.




