Kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës në nisje të episodit të radhës të podkastit “Flasim”, duke u ndalur te ndryshimet në kabinetin qeveritar, situata në aksin Librazhd–Përrenjas, rritja e pagave në arsim, mbështetja për startup-et dhe raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndryshimet në kabinet

Rama konfirmoi se në mbledhjen e zgjeruar mujore të Grupit Parlamentar Socialist u diskutua edhe plani i ndryshimeve në qeveri, të cilat sipas tij janë pjesë e një qasjeje të paralajmëruar që në fillim të mandatit. Ai i krahasoi lëvizjet me ndryshimet në një skuadër sportive, duke theksuar se ato janë të parapara në funksion të performancës dhe objektivave.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te raportet mes politikës dhe drejtësisë, duke theksuar se do të flasë më gjerësisht pasi të shqyrtojë raportin e Këshillit të Mandateve.

Sqarimi për aksin Librazhd–Përrenjas

Sa i takon rrëshqitjes së dheut në kantierin e Korridorit 8, Rama e cilësoi situatën si pasojë të një force madhore natyrore dhe mohoi çdo lidhje me korrupsionin.

Sipas tij, rrëshqitja ka prekur rrugën e vjetër dhe jo aksin e ri në ndërtim, ndërsa theksoi se gjeologjia e vështirë dhe reshjet intensive kanë ndikuar në destabilizimin e terrenit.

Ai bëri të ditur se Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Shtetit kanë ndërhyrë me masa emergjente, ndërsa ekipet inxhinierike po punojnë për stabilizim të thelluar gjeoteknik dhe përshpejtim të zhvillimit të infrastrukturës së re strategjike.

Rritja e pagave në arsim

Një nga vendimet kryesore të javës, sipas Ramës, është indeksimi me 2.5% i pagave për punonjësit mësimorë dhe jo mësimorë të arsimit parauniversitar, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 janari.

Për kategoritë me paga nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj aplikohet edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh, duke e çuar rritjen totale nga 4% deri në 5.17%.

Nga kjo skemë përfitojnë 36,390 punonjës të sistemit arsimor:

30,000 në arsimin parauniversitar

1,500 në arsimin profesional

4,890 në arsimin parashkollor dhe konvikte

Sipas Ramës, kjo është hera e parë që aplikohet indeksim pagash në këtë formë përtej pensioneve, duke e cilësuar si një mesazh për mbështetjen e mësuesve dhe stafit arsimor.

Grant 2026 për startup-et

Qeveria ka fuqizuar skemën e mbështetjes për startup-et në kuadër të Grantit 2026. Financimi strukturohet sipas fazës së zhvillimit të biznesit:

100% mbulim në fazën fillestare

85% për startup-et që kanë testuar produktin

75% për kompanitë në fazë rritjeje në treg

Rama theksoi se fokusi është tek teknologjia, shërbimet dixhitale dhe produktet me vlerë të shtuar që konkurrojnë në tregun rajonal dhe europian.

Raporti i BERZH: Rritje rreth 4%

Sipas raportit të fundit të BERZH, ekonomia shqiptare u rrit me afro 4% në vitin 2025, ndërsa për vitet 2026–2027 parashikohet një ritëm i ngjashëm.

Raporti evidenton stabilitet makroekonomik, rritje të investimeve të huaja direkte dhe zgjerim të sektorëve si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, përveç pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve financiare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu