
Kryeministri Edi Rama ka hapur episodin e radhës të podcastit “Flasim” me një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të javës, duke theksuar se viti politik 2026 do të jetë më i vështiri, por edhe më vendimtari për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij hyrëse, Rama u ndal fillimisht te mbledhjet maratonë të qeverisë dhe Grupit Parlamentar Socialist, të cilat kishin si synim vendosjen e piketave kryesore të vitit politik që sapo ka nisur.
Sipas Kryeministrit, ndërsa mbledhja e qeverisë ishte e fokusuar te vazhdimësia e programit dhe kalendari i zbatimit sipas sektorëve, mbledhja e grupit parlamentar u përqendrua te rritja e kapaciteteve për negociatat me BE-në, duke kërkuar më shumë koordinim, ndërveprim dhe organizim.
“Ky proces nuk do të bëhet më i vështirë vit pas viti, por muaj pas muaji, për shkak të volumit legjislativ të paprecedentë që duhet të kalojë nga konsultimi publik, në qeveri dhe më pas në parlament”, u shpreh Rama, duke shtuar se është i bindur se shumica parlamentare do të jetë në lartësinë e kësaj sfide historike.
Përballja me dezinformimin
Një tjetër pikë kyçe e fjalës së tij ishte beteja kundër dezinformimit, për të cilën Rama tha se shtrihet në “të gjitha 700 tenxheret politike e mediatike”, por që sipas tij nuk do ta ndalë procesin e integrimit evropian.
Kryeministri theksoi nevojën për rritjen e komunikimit me anëtarësinë dhe mbështetësit e Partisë Socialiste, si dhe informimin më të mirë të publikut për proceset që lidhen me negociatat.
Diplomacia dhe energjia e gjelbër
Në fjalën e tij hyrëse në “Flasim”, Rama u ndal edhe te vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mori pjesë në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si dhe te bashkëpunimi strategjik Shqipëri–Itali–Emirate, që synon krijimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së gjelbër në Shqipëri.
Ai theksoi se Shqipëria synon sovranitet të plotë energjetik brenda këtij mandati qeverisës, duke e cilësuar këtë si një avantazh strategjik për vendin.
Parku i erës në Tropojë
Rama njoftoi gjithashtu një tjetër hap të rëndësishëm në drejtim të pavarësisë energjetike, me fazën e dytë të parkut të energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, me kapacitet 600 megavat, në bashkëpunim me kompaninë amerikane CWP.
Sipas tij, projekti do të diversifikojë portofolin energjetik të vendit dhe do të ulë ndjeshëm nevojën për import energjie.
Vizat me SHBA: “Dezinformim”
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri hodhi poshtë kategorikisht pretendimet se Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar vizat për Shqipërinë, duke i cilësuar ato si dezinformim.
Rama sqaroi se bëhet fjalë për një pezullim të përkohshëm të lejeve të punës për disa vende, dhe jo për ndalim vizash, në kuadër të politikës së re amerikane për emigracionin.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë. Çdo gjë tjetër është thjesht çoroditje e opinionit publik”, u shpreh Kryeministri.






